2016-04-26 09:00:00

“Njeri, si ju”: Vian propozon tekste të zgjedhura nga Pali VI


“Jam njeri, si ju”: kështu u paraqit  Pali VI në fjalimin drejtuar Kombeve të Bashkuara, më 4 tetor 1965. E pikërisht kjo shprehje është tani titulli i vëllimit, botuar nga shtëpia botuese Marietti, që përmbledh tekstet e Papa Montinit ndërmjet viteve 1914 e 1978-të. Përmbledhja u përgatit nën kujdesin e profesor Giovanni Maria Vian, drejtor i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”. Në intervistën dhënë Radios sonë, shpjegon sidomos kriterin  që  ndoqi, për zgjedhjen e teksteve:

Përgjigje: - Kriter krejt i thjeshtë; të gjitha tekstet e dala nga penda e Montinit botohen të plota, nga letrat, tek homelitë e tek shënimet përkatëse. Nuk pritet asgjë... Janë një mori tekstesh, posaçërisht të papnisë, sigurisht të shkruara nga Montini, fund e krye nga Montini. Rasti më i bujshëm i përjashtimit është ai i Ecclesiam Suam, Enciklika programatike e ’64-tës, tekst vërtet i bukur, i cili megjithatë, u përjashtua me dashje, sepse tepër i gjatë.

Pyetje: - Me historinë e Palit VI lidhet Koncili, domethënë, rifillimi i Koncilit, në vitin 1963, e këto vite janë të pranishme. Kurrë ndonjë herë nuk ka qenë kaq e pastër Kisha - shkruan Pali VI - kurrë, kaq e dëshiruar t’i shërbejë Zotit, kurrë kaq e çinteresuar, kurrë kaq e shkëputur nga interesat  e përkohshme të botës.  E ç’mund të na thoni për këtë?

Përgjigje: - Është atmosfera e madhe, janë shpresat e mëdha të atyre viteve. E është edhe Pali VI, Papë, që ia hapi zemrën kohës së tij, Papë i takimit, i besimit në tjetrin…

Pyetje: - Tema qendrore e papnisë së Françeskut është Mëshira. E ka një lidhje të fortë me Palin VI. Na kujtohet aty, ku thotë: “Vëllezër të largët, na falni nëse nuk ju kuptuam, nëse nuk ju pranuam, nuk u kujdesëm për ju, nuk qemë mësues të mirë të shpirtit e as mjekë të mirë të zemrave. Na falni!”…

Përgjigje: - Ky është mesazhi i kryeipeshkvit Montini, me të cilin, në vitin 1957, hapi misionin e Milanos, duke iu drejtuar të largtëve. Ju bëtë mirë që e kujtuat këtë temë qendrore të papnisë së Bergoglios, temë që e hap Koncilin me Roncallin dhe e mbyll me Montinin. Roncalli e hap duke theksuar: “Sot Kisha parapëlqen ilaçin e mëshirës”, e Montimi e mbyll me pohimin: “Figura, që e përmbledh Koncilin, takimin e tij me botën, është figura e samaritanit, domethënë, figura e mëshirës”.

Pyetje: - Pra, këtu kemi një vazhdimësi të dukshme….

Përgjigje: - Po, pa harruar ndryshimet e forta të personaliteteve, të karaktereve - kjo është e natyrshme - e edhe të origjinës, vazhdimësia është e padyshimtë, edhe pse - e këtë e kam shkruar në faqet e shkurtra të hyrjes -  Montini është paksa i harruar; Papa Bergoglio po e rikthen në zemër të Kishës.

Pyetje: - Pali VI, duke menduar edhe për Koncilin, fliste për një Kishë që vihet në diskutim, që e reformon vetveten, që reflekton për lidhjen  ndërmjet doktrinës e praktikës: “Praktika, në përkim me doktrinën - pohonte - mund të zbatohet në mijëra mënyra, kurse doktrina, edhe për kërkesa praktike, duhet të jetë gjithnjë besnike ndaj vetvetes”…

Përgjigje: - Besoj se Papa Montini, kur vendosi ta thërrasë përsëri Koncilin, nuk pati asnjë dyshim, ndonëse i vetëdijshëm për vështirësitë që do të sillte, si çdo Koncil në histori. Jam i bindur se, po të ishte ulur në fronin e papnisë në ’58-tën, Montini do të kishte zgjedhur një mënyrë tjetër për ta përtërirë Kishën, pikërisht sepse i kishte mirë parasysh të gjitha ndërlikimet e Koncilit. Ndërmjet tjerash, Koncilet më të rëndësishme patën natyrshëm, fiziologjikisht nevojë për t’u kuptuar e për t’u përvetësuar nga klerikët, por edhe nga besimtarët. E megjithatë e pranoi Koncilin, fryt i intuitës së Roncalli-t, Gjonit XXIII, në këtë mënyrë të jashtëzakonshme, e këtë e bëri sepse ishte radhitur tashmë me shumicën reformiste qysh në fund të vitit ’62, e edhe e mbylli me respekt, por edhe me vetëdijen e plotë të rolit papnor.








All the contents on this site are copyrighted ©.