2016-04-22 13:56:00

Marrëveshje BE për sistemin e ri të kontrollit të kufijve


U arrit dje, marrëveshja e qeverive të Bashkimit Evropian për vendosjen e rojeve të reja të kufirit, përgjigje e Brukselit ndaj emergjencës së emigracionit. Propozimi do të votohet nga Parlamenti Evropian për të kaluar përsëri në tryezën e krerëve të qeverisë, në Takimin e 28 e 29 qershorit. Ideja bazë e marrëveshjes është ngritja e rojes së përbashkët evropiane në kufirin e jashtëm. Ministrat e brendshëm, të mbledhur dje në Luksemburg, kërkuan që sistemi të jetë operativ, duke filluar nga shtatori i këtij viti.

         U fol edhe për shpërndarjen e emigrantëve në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian. Deri tani, janë risistemuar në vende të tjera pak më shumë se njëmijë vetë, por objektivi është që, brenda gjysmës së majit, të tërhiqen drejt veriut të Evropës rreth 20 mijë refugjatë, të cilët, aktualisht, ndodhen në Itali e Greqi. E presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, shprehu vlerësim për planin italian “Migration Compact”. Për të kuptuar diçka më shumë, pyetëm një nga funksionarët italianë të Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin (OIM), Flavio Di Giacomo:

(Federico Piana)

         “Migration Compact” është dokument, që po e studiojmë akoma, por na duket se pasqyron çka themi prej kohësh. Së pari, na pëlqen që po fillon të përvijohet një politikë afatgjatë për administrimin e fenomenit të emigracionit e sidomos, që parashikohen një sërë ndërhyrjesh e jo vetëm një. Ato përfshijnë ndërhyrjet në vendin e origjinës për të ndihmuar zhvillimin, si edhe hapjen e kanaleve të hyrjes jo vetëm për njerëz, që kanë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare. Pa dyshim, kjo duhet bërë menjëherë. Gjithashtu, duhet filluar lufta kundër trafikantëve dhe emigracionit të parregullt, duke hapur rrugë të ligjshme për ata, që vijnë në Evropë për punë, të cilën e gjejnë edhe kur vijnë pa dokumente. Pra, ekziston një nevojë ekonomike për emigrantë, por u duhet dhënë atyre mundësia e ligjshme për të mbërritur në Itali e në Evropë, sepse po u mbylle derën, natyrisht që do të përfundojnë në duart e trafikantëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.