2016-04-20 12:22:00

Papa diskuton temat e Sinodit të ardhshëm të Ipeshkvijve


Dje e pardje u mbajt mbledhja e parë e Këshillit XIV të Zakonshëm të Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, kryesuar nga Papa Françesku. Diskutimet u përqendruan kryesisht mbi rezultatet e konsultimit të Kishës për caktimin e temës së Asamblesë së ardhshme Sinodale. Pas një debati të gjerë, u zgjodhën disa propozime, për t’u shqyrtuar më pas nga Ati i Shenjtë.

         Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit, kardinali Lorenzo Baldisseri, e falenderoi Papën Françesku për Nxitjen Apostolike pas sinodale “Amoris Laetitia”. Edhe anëtarët e Këshillit dëshmuan për pritjen e mirë, që i kanë bërë dokumentit bashkësitë kishtare në të gjithë botën.

         Më pas, anëtarët e Këshillit diskutuan për rishikimin e “Ordo Synodi Episcoporum”, pika e fundit e rendit të ditës. Zv.Sekretari i Sinodit, imzot Fabio Fabene, mbajti një relacion për seminarin e organizuar pas fjalimit të Papës më 17 tetor 2015, në 50-vjetorin e Sinodit të Ipeshkvijve. Anëtarët u ndanë në rrethe të vogla, në të cilat u vlerësua sinodaliteti dhe kolegjialiteti i arritur në Kishë, duke nënvizuar se ato duhet të ushtrohen gjithnjë në bashkim me Ipeshkvin e Romës.








All the contents on this site are copyrighted ©.