2016-04-19 09:00:00

Kreshmë me të varfërit, në dioqezën e Sapës


Janë të shumta aktivitetet dhe iniciativat që Caritas Sapa ndërmerr kushtuar bamirësisë dhe mbështetjes së njerëzve në nevojë,  gjë e cila përmbush edhe misionin për të cilin ky institucion është ngritur. Një ndër këto aktivitete është edhe “Kreshmë me të varfërit” - është ky titulli i fushatës sensibilizuese për lëmoshë dhe bamirësi, që organizohet nga Caritas Dioqezan Sapa. Iniciativë kjo e ndërmarrë nga vetë institucioni bamirës i kishës, në kuadër të Vitit Jubilar të Mëshirës, vit ky që fton të gjithë njerëzit vullnetmirë që të kujdesen për nevojat dhe plagët e njerëzve të bashkësive tona dhe të bashkëndajmë me të veprat e mëshirshme të trupit dhe të shpirtit. Na informon më hollësisht, bashkëpunëtorja jonë, Violeta Marashi... 

Duke qenë se Koha e Kreshmeve është një kohë mjaft e volitshme dhe e përshtatshme për t’ju përgjigjur dashurisë së Zotit nëpërmjet lëmoshës dhe veprës së bamirësisë, dhe për t’i dhënë një dimension më të madh kësaj fushate sensibilizuese, Caritas Sapa me mbështetjen e famullitarëve dhe motrave përgjegjëse të famullive të dioqezës së Sapës, kanë shpërndarë 2000 kutija simbolike për fëmijët e katekizmit që përfshin moshën 7- 15 vjeç, në mënyrë që të ndërgjegjësohen dhe të mbledhin kontributin e tyre dhuruar për njerëzit në nevojë.  Është një risi kjo që, jo vetëm të rriturit dinë të dhurojnë, por edhe fëmijët mund të kursejnë diçka nga vetja për të ndihmuar bashkëmoshatarët e tyre që gjenden në vështirësi ekonomike apo edhe shëndetësore.

Për ta dëshmuar më së miri këtë vepër dashurie dhe bamirësie konkrete, nën organizimin e stafit dhe vullnetarëve të Caritas Sapa, me datën 16 prill 2016, u mbajt evenimenti i “Mbledhjes së kutijave të lëmoshës” me vetë protagonistët e kësaj fushate. Rreth 1000 fëmijë nga të gjitha famullitë ku shtrihet Dioqeza e Sapës, u bashkuan në Katedralen Nënë Tereza në Vau-Dejës në kremtimin e Eukaristisë Shenjte të udhëhequr nga vikari gjeneral dom Simon Kulli. Përmes fjalës së rastit, ai e vlerësoi shumë kontributin e të gjithë fëmijëve të cilët nuk jetojnë si egoist, por me bujarinë e tyre dinë të hapin zemrën ndaj Zotit dhe vëllezërve.

Pas meshës takimi i kësaj dite vazhdoi me argëtimin e fëmijëve, në oborrin e katedrales, ku prania e grupit të animatorëve të Caritasit dioqezan me performancën e tyre krijuan një klimë gëzimi përmes muzikës, humorit, lojrave duke i dhënë kështu larmishmëri dhe ngjyra festive gjithë aktivitetit bamirës. Pjesë e shfaqjes festive u bënë edhe artistat e qytetit Vau-Dejës, të cilët kanë performuar edhe në skenat kombëtare të Shqipërisë, në konkurse të ndryshme të muzikës dhe talenteve të tjera.

 

Fushata “Kreshme me të varfërit”, tashmë i shtohet listës së gjatë të të gjithë veprimtarisë së Caritasit, dhe bëhet pjesë e secilit që dëshiron të ndërgjegjësohet për t’i ardhur në ndihmë njerëzve të varfër. Një nismë e tillë është për t’u vlerësuar dhe për t’u marrë shembull që në të ardhmen të organizohet edhe në dioqeza të tjera, dhe pse jo edhe në nivel të Kishës Kombëtare.

I gjithë kontributi i mbledhur me këtë rast do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuar, një qasje dhe ndjeshmëri kjo për të dëgjuar dhe ndihmuar këtë shtresë që gjendet në vështirësi dhe nevoja të ndryshme jetësore.








All the contents on this site are copyrighted ©.