Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Tagle: vizita e Papës në Lesbos, kundër frikës nga emigrantët

Papa Françesku pret refugjatët nga Lesbos - EPA

18/04/2016 13:13

Vizitë për të dëshmuar afërsinë me ata që vuajnë, por edhe për të shkundur ndërgjegjet e për të kapërcyer frikën. Dy ditë pas takimit të Papës Françesku me refugjatët në Lesbos e të nesërmen e thirrjes për emigrantët nga dritarja e Mbretëreshës Qiellore, i drejtuam mikrofonin kryetarit të Caritas Internationalis, kardinalit Luis Antonio Tagle, kryeipeshkëv i Manilës. Edhe ai, vetëm pak muaj më parë, pati vizituar refugjatët sirianë në kampin e Idomenit, në kufi me Maqedoninë:

         Ndjenja ime e parë është gëzimi, sepse refugjatët – njerëz që vuajnë – kanë nevojë për mbështetje: jo vetëm për mbështetje të jashtme, por për dhembshurinë, që vjen nga zemra e pastër, e sinqertë. Kjo vizitë s’ka të bëjë me ndonjë agjendë politike, me prozelitizmin, por është dëshmi, që u jep shpresë dhe gëzim të gjithëve, sidomos refugjatëve. Vitin e kaluar, pata shkuar në kampin e Idomenit në Greqi, pranë Maqedonisë. Aty pashë, dëgjova, preka me dorë vuajtjen… E njerëzit që vuajnë ngushëllohen me veprime të thjeshta. Me akte të thjeshta dashurie dhe dhembshurie. Mjaftoi prania e Atit të Shenjtë për t’i ngushëlluar.

         Papa Françesku mori me vete tri familje refugjatësh. Ky gjest është shembull për gjithë të krishterët…

         Po, ashtu është vërtet! Dua të shtoj se dashuria e mëshira dëshmohen me akte konkrete. Por, nuk mjafton vetëm një veprim i jashtëm, sepse zemra nga e cila rrjedh ky akt, është diçka tjetër. Për shembull, në botën politike – gjatë zgjedhjeve – shohim shumë e shumë akte mirësie nga ana e kandidatëve, por a janë vërtet të sinqerta? Ati i Shenjtë e dëshmoi këtë me një akt konkret. Solli në Romë tri familje: jo vetëm individë, por familje, për t’i mbrojtur, sepse familja duhet të mbetet e bashkuar si në vuajtje, ashtu edhe në gëzim e shpresë. Unë jam i sigurtë se këto familje, që vijnë nga Siria, provuan një dashuri të mistershme… Nga vjen ky akt bamirësie, pyesin? Nga një zemër kishtare, nga zemra e një Pape!

         A mund të shpresohet që ky gjest i Papës t’i zgjojë ndërgjegjet, zemrat e mendjet e evropianëve, sidomos të politikanëve të Evropës?

         Shpresojmë se po! Mendoj se shumë politikanë, por edhe njerëz të tjerë, sidomos në Evropë, kanë frikë nga refugjatët: frikë t’i presin në shtëpi këta të huaj, këta emigrantë… Por, ne duhet t’i bëjmë ballë kësaj frike: për mua, rruga e drejtë është takimi me njerëzit. Për shembull, kur pashë fëmijët e familjeve të refugjatëve, e kuptova se këta janë fëmijë si gjithë të tjerët… Nënat e baballarët e refugjatëve janë njësoj si prindërit e tjerë, që duan më të mirën për familjen e tyre! Por, këto mendime të vijnë pas takimit personal. Pa të, mbizotëron frika. Shpresojmë që shembulli i Atit të Shenjtë, takimi i tij personal, ta pakësojë frikën.

18/04/2016 13:13