2016-04-17 14:25:00

Bartolomeu: bota do të gjykohet nga mënyra e trajtimit të refugjatëve


Prekës, fjalimi i Patrikut Ekumenik Bartolomeu, gjatë vizitës së djeshme në kampin e refugjatëve në Moria, në ishullin grek të Lesbos. “Duam t’ju shohim në sy”, u tha që në fillim emigrantëve. “Duam t’ju shtrëngojmë duart…shqetësohemi për ju… erdhëm që bota të mos ju harrojë”. Në dy rreshta, synimet e kësaj vizite të tre krerëve fetarë në Lesbos. Vërtet, Papa Françesku, vetë Patriku dhe kryepeshkopi Hieronimos shkuan për t’u shprehur solidaritetin e Kishave motra refugjatëve dhe popullit grek, që kujdeset për ta.

         “E dimë – u tha Patriku burrave, grave e fëmijëve në lot – se keni ardhur nga zona lufte, urie e vuajtjeje. E dimë se zemrat tuaja janë plot ankth për familjen. E dimë se jeni në kërkim të një të ardhmeje më të sigurtë e më të ndritshme. Derdhëm lot, ndërsa shihnim Mesdheun, që kthehej në varr për të dashurit tuaj. Qamë me lot, kur pamë simpatinë dhe ndjeshmërinë e popullit të Lesbos dhe të ishujve të tjerë. Por, derdhëm lot edhe kur pamë ngurtësinë e zemrës së vëllezërve e të motrave tona – të vëllezërve e motrave tuaja – ndërsa mbyllnin kufijtë dhe ju kthenin shpinën”.

          Ata, që kanë frikë nga ju, shtoi Patriku, nuk ju kanë parë në sy, në fytyrë, nuk i kanë parë fëmijët. Harrojnë se dinjiteti dhe liria shkojnë përtej frikës e ndarjes. Emigracioni, nënvizoi Bartolomeu, nuk është vetëm problem i Lindjes së Mesme, i Afrikës, Evropës apo Greqisë, por është botëror. E bota, pranoi me hidhërim Patriku Ekumenik, do të gjykohet nga mënyra, me të cilën trajton refugjatët dhe emigrantët. Mesdheu nuk duhet të kthehet në varr, sepse është vend jete, udhëkryq kulturash e qytetërimesh, vend shkëmbimi e dialogu, det i paqes.

         “Të lutemi – i ftoi të gjithë Bartolomeu – që konfliktet në Lindjen e Mesme, të cilat përbëjnë rrënjët e krizës së emigracionit, të ndalin shpejt e të rivendoset paqja. Të lutemi për të gjithë popujt e këtij rajoni. Në veçanti, duam të nënvizojmë gjendjen dramatike të të krishterëve në Lindjen e Mesme, ashtu si atë të pakicave të tjera etnike dhe fetare të rajonit, që kanë nevojë për ndërhyrje urgjente, nëse nuk duam t’i shohim të zhduken”.

         Nuk do t’ju harrojmë, u tha Patriku Ekumenik refugjatëve në ishullin e Lesbos. Do të flasim gjithnjë për ju, për t’ia hapur sytë dhe zemrën botës. “Paqja – shtoi – nuk është fundi i historisë. Paqja është fillimi i një historie të lidhur me të ardhmen. Evropa duhet ta dijë këtë më shumë se çdo kontinent tjetër”.

         “Ky ishull i bukur, ku ndodhemi në këtë çast, – përfundoi – është vetëm një pikë në hartën gjeografike. Për ta dominuar erën e detin me dallgë, Jezusi, siç na tregon shën Luka, e urdhëroi erën të ndalë, kur varka në të cilën ndodhej bashkë me dishepujt, ishte në rrezik. E së fundi, pas stuhisë, u kthye qetësia”. Si për të thënë se gjërat e kësaj bote, sado të këqia, kalojnë një ditë, nëse kemi fe të patundur.








All the contents on this site are copyrighted ©.