2016-04-10 17:17:00

Ngushëllimet e Papës për viktimat e zjarrit në Indi


“Papa Françesku mori me dhimbje të thellë lajmin e zjarrit tragjik, që ra në tempullin e Puttingal, në Paravoor të shtetit indian Kerala”. Kështu shkruhet në një mesazh ngushëllimi, me firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, përmes të cilit Ati i Shenjtë i dërgon ngushëllimet familjeve të viktimave dhe njerëzve të plagosur, duke u lutur për të gjithë ata, që e pësuan këtë tragjedi si dhe për ata, që po ndihmojnë për ta lehtësuar. Së fundi Papa kërkon që Zoti ta bekojë Kombin e t’i japë forcë e paqe.

Hollësirat e tragjedisë, që ndodhi mbrëmë

Ka arritur në 110 të vdekur e rreth 350 të plagosur – shumë nga të cilët në kushte kritike - bilanci, ende i përkohshëm, i zjarrit të tmerrshëm, që ra në kompleksin e tempujve Puttingal, në Indinë jugore. Në tempull po kremtohej hyjnesha Bhadrakali, si zakonisht, me një shfaqje fishekzjarresh - megjithëse sivjet nuk qe autorizuar nga qeveria e Keralas, për arsye sigurie - kur disa shkëndija u dhanë zjarr fishekzjarreve të tjera, vendosur aty pranë, në pritje të një feste tjetër, e pikërisht Vitit të Ri hinduist, që do të festohet të enjten e ardhshme.

Kryeministri: ndihma familjeve të prekura nga tragjedia

Në çastin e tragjedisë, brenda tempullit, shndërruar në kafaz të zjarrtë, llogaritet të ishin rreth trimijë vetë, disa nga të cilët arritën të ikin. Flakët u shuan shpejt e në vendin e tragjedisë arritën sakaq skuadrat e ndihmës. Kryeministri indian, Narenda Mori, që shkoi menjëherë në tempull, njoftoi  se do t’u shpërndajë nga një çek prej 200 mijë rupiesh familjeve, që patën viktima e 50, atyre që kanë të plagosur në aksident.








All the contents on this site are copyrighted ©.