2016-04-10 16:07:00

Brazil. Kardinali Hummes: vigan, korrupsioni i klasës drejtuese


Në Brazil vijojnë hetimet për skandalin lidhur me gjigandin e naftës, Petrobras, me të cilin lidhen një mori emrash të klasës drejtuese në një vend, ku vijon të thellohet papunësia e varfëria. Lidhur me fenomenin e frikshëm të korrupsionit, pengesë serioze për zhvillimin dhe jetën normale të njerëzve, po flasin edhe ipeshkvijtë brazilianë, të mbledhur në Aparesidë, në Asamblenë e tyre të 54-t të përgjithshme. Është në studim, një dokument, që lidhet me fenomenin. Intervistuam kardinalin brazilian Cláudio Hummes, kryetar i Komisionit ipeshkvnor për Amazonën:

Përgjigje: - Është krizë tepër e thellë: krizë politike, e shkaktuar kryesisht nga korrupsioni gjigand, i pafundmë i klasës drejtuese të Brazilit, që tashmë e njeh mbarë bota. Kriza ekonomike dhe shoqërore e pashembullt, që e ka pushtuar Brazilin, e ka zanafillën e vet pikërisht tek korrupsioni, gjë që ndikon, pastaj, fuqimisht në rritjen e papunësisë e të inflacionit. Këto, dy pasojat, që peshojnë tepër mbi kurrizin e njerëzve të thjeshtë: brazilianët janë tejet të shqetësuar për ardhmërinë e tyre, pikërisht nga shkaku i papunësisë dhe i inflacionit. Paraja vijon ta humbasë vlerën e njerëzit shikojnë t’u shkrihen në një ditë të vetme, kursimet e një jete, të kaluar me shumë mundime. Të varfërit po varfërohen gjithnjë më shumë. Për të pasuruar një grusht të korruptuarish. Gjëra që shikohen çdo ditë, menjëherë, por pa mundur t’u kundërvihesh, për ta shpëtuar jetën dhe  vendin nga katastrofa. Prej këndej, edhe kriza politike, që në këto kushte nuk mund të zgjidhet. Sepse kush ta zgjidhë? Të korruptuarit? Është vërtet çast tejet i vështirë. E nuk dihet sesi do t’i gjindet filli këtij lëmshi të ngatërruar, pasojë e politikës dhe veprimtarisë së partive. Asambleja e ipeshkvijve e ndjek me shumë vëmendje këtë situatë: ne, ipeshkvijtë,  duam të botojmë një notë, për t’i inkurajuar njerëzit që të mos e humbasin shpresën. Sidomos nënvizohet edhe nevoja për të mos i humbur vlerat e mëdha etike dhe demokratike: duhet të jemi shumë të vëmendshëm që kriza të mos marrë përmasa shkatrrimtare por - ndoshta - të krijojë mundësi për t’i përmirësuar kushtet e për të ndërtuar një demokraci të vërtetë - siç ta thotë fjala vetë - më të bazuar në vullnetin e popullit. Por është e domosdoshme edhe që vendi të luftojë përsëri kundër papunësisë, problem kolosal në këtë çast e të përballojë edhe çështjen monetare: të luftojë kundër zhvleftësimit të parasë, që makroekonomia të mund ta ndihmojë Brazilin të shkojë përpara. Ky është shqetësimi i madh i këtij çasti. Kisha merr pjesë në të gjitha ngjarjet e njerëzit gjejnë në të mbështetje e shpresë.

Pyetje: - Brazili do të rikthehet në qendër të reflektorëve edhe me Olimpiadën e Rio-de-Zhanéjros. Kjo krizë mund të ndikojë edhe mbi Lojërat Olimpike, ashtu si virusi Zika? Shumëkush e bën këtë pyetje…

Përgjigje: - Po, mund të ndodhë, por shpresohet që Olimpiada të zhvillohet normalisht.  Për Brazilin është vërtet një çast kritik, për shkak të virusit Zika, të Dengue e të Chikungunya, por ky është problem më vete e besoj se nuk do të peshojë mbi Lojërat Olimpike  2016. Besojmë se gjithçka do të zhvillohet normalisht e do të shkojë për së mbari. 








All the contents on this site are copyrighted ©.