2016-04-05 10:00:00

Kardinali Kasper: ungjillëzon Kisha, që zgjat dorën, jo gishtin


Vetëm një Kishë, që zgjat dorën për të ndihmuar, e jo gishtin, për të moralizuar, mund t’ia rikumtojë me forcë Ungjillin botës së sotme: është pohimi i kardinalit Walter Kasper në Kongresin apostolik evropian të Mëshirës, që u mbajt në Bazilikën romake të Sant’Andrea delle Valle .

Fajet e të krishterëve

Nëse Zoti u bë i huaj, posaçërisht në Evropë e në botën tonë perëndimore  - tha kardinali Kasper - të krishterët nuk janë fare pa faj. Sepse flasin  në një mënyrë, që nuk përkon plotësisht me Ungjillin, me Lajmin e Mirë; flasin shpesh herë jo për Zotin, që është në Ungjill, por për një zot, që të tremb, të kërcënon, të dënon.

Është koha e mëshirës

“Sot, pohonte Papa Gjoni XXIII, ka ardhur koha të përdorim ilaçin e mëshirës, jo armët e ashpërsisë”. “Sot, thotë Papa Françesku, është koha e mëshirës. Kisha e sotme është e thirrur të jetë spital fushor”.

Mëshira nuk është tolerancë e tepruar

Do të ishte thjeshtëzim i tepruar ose, më mirë të themi, keqkuptim i rëndë - vërejti kardinali Kasper – po të mendohej se mëshira është vetëm një lloj tolerance, madje e tepruar, që bën dëshmi për një Zot tejet të njerëzishëm, që s’ di t’i bëjë keq kujt e nuk i merr seriozisht mëkatet tona. Nuk mund të sheshohet deri në këtë shkallë koncepti i mëshirës, duke e katandisur në një kristianizëm, që i përshtatet dëshirave të gjithkujt. E është krejtësisht e gabuar t’i kundërvësh mëshirën me të vërtetën, siç bëjnë disa, sepse mëshira nuk e zhduk të vërtetën e fesë, përkundrazi, e mbështet.

Ku nuk ka mëshirë, aty jetojnë demonët

Mëshira, vijoi prelati i lartë, hap rrugë për ungjllëzimin e ri e na çon në përditësimin e kumtit ungjillor. Me mëshirën e tij, Zoti është besnik, doemethënë, i drejtë me vetveten. Zoti nuk lidhet me rregullat tona të drejtësisë. Ai lidhet vetëm me vetveten e me dashurinë e Tij. “Pa mëshirë, edhe drejtësia më e madhe, mund të bëhet padrejtësia më e madhe”. Ku nuk ka mëshirë, aty jetojnë demonët, na kujton Dostojevski.

Kishë me dorë të shtrirë

Mëshira, pohon kardinali Kasper, nuk është thjesht tolerancë, mirësi foshnjore. Mëshirë do të thotë të takohesh me Jezusin në të vafërit, të uriturit, të vuajturit, refugjatët e në të gjithë vëllezërit e motrat nevojtare. Shenjtorët janë ata, që e morën seriozisht mëshirën e Zotit, tha kardinali Kasper, duke përfunduar me fjalët: “Kisha nuk duhet të mbyllet në vetvete. Nuk duhet të bëhet Kishë vetëm për një elitë, që beson se është shenjte,  e shkëputet nga masa e ashtuquajtur e humbur. Kisha duhet t’i ketë gjithnjë portat e hapura, e posaçërisht, duhet të jetë Kishë e varfër, për të varfërit. Kishë në dalje, misionare, që e di se nuk mund të flitet për Zotin, emri i të cilit është mëshirë, pa  e jetuar vetë mëshirën”, sepse nuk është Kishë që ngre gishtin për të moralizuar, po Kishë që shtrin dorën për të ndihmuar. Vetëm atëhere mund të lëshojë rreze drite e ngrohtësie në botën tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.