2016-04-03 11:44:00

E Diela e Mëshirës Hyjnore , në kremtimin e së Dielës II të Pashkëve


Atmosfera e Ngjalljes së Krishtit vazhdoi sot, me kremtimin e së Dielës II të Pashkëve, që tashmë njihet si e Diela e Mëshirës Hyjnore. Papa kryesoi, në orën 10.30, Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit. Ishte kulmi i Jubileut të besimtarëve të përshpirtërisë së Mëshirës, që përfundoi me lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Kisha përkujtoi, kështu, ditën e madhe, kur Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, erdhi e u bë guri i këndit. Ditën, që na e dhuroi Zoti për të galduar e për t’u gëzuar, kujtoi Papa gjatë lutjes, e më pas komentoi fragmentin Ungjillor shkëputur nga Zbulesa e Shën Gjonit Apostull, duke i shoqëruar, me fjalën e tij, besimtarët e shumtë, në Patmos, për të jetuar shpirtërisht vegimin e Ungjilltarit, që pa  dikë, si Birin e njeriut, e dëgjoi fjalët : “Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Fundit, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve. Unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës!”.

E, më pas, komenti i Ungjillit, me urimin e Krishtit të Ngjallur, që përshkon gjithnjë këtë periudhë Pashkësh: “Paqja me ju!  Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”. Ftesë, kjo, që u kujtoi gjithë besimtarëve se janë të dërguar nga Zoti për të vijuar kështu epopenë e krishterimit, që nisi nga Izraeli, për t’u përhapur deri në skajet më të largëta të botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.