2016-04-01 11:30:00

Viganò: homelitë e Shën Martës na çojnë në zemër të Ungjillit


“Mendime për Vitin Shenjt”. Ky, titulli i librit të masmediologut Gianpiero Gamaleri, botuar nga LEV e paraqitur në Sallën Marconi të Radio Vatikanit. Në vëllim përmblidhen komentet për homelitë e Françeskut në Shtëpinë e Shën Martës, shkruar nga autori për rubrikën e së përjavshmes “Papa im”. Në paraqitjen e veprës së re, mori pjesë edhe prefekti i Sekretarisë për komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò që, në mikrofonin tonë, flet kryesisht për homelitë dhe për stilin komunikativ të Françeskut:

Përgjigje: - Më duket se këto homeli janë bërë tashmë gjini letrare më vete. Papa Françesku na paraprin në Ungjillin, që shpallet ose në Besëlidhjen e Vjetër, posaçërisht duke i drejtuar pyetje atij, që po e dëgjon homelinë, lidhur me fjalët e Jezusit, të ndonjërit nga personazhet e Ungjillit, drejtuar Jezusit ose me çka mendon ky njeri për Zotin. Kështu na çon në zemrën e mendimeve e të ndjenjave të skenës ungjillore. Në këtë mënyrë e mbart vetë jetën tonë brenda Fjalës së Zotit, duke vënë në pah, me kthjelltësi të madhe, çka i thotë kjo fjalë atij që e dëgjon, mua, ty… Në këtë mënyrë teksti bëhet shumë familjar, e nxit dëgjuesin të afrohet e t’i shikojë botën, ngarjet, marrëdhëniet, me syrin e Zotit.

Duke folur për vlerën e këtyre homelive të Papës, autori i librit “Mendime për Vitin Shenjt” profesor Gianpiero Gamaleri, shprehet kështu, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Duke qenë tip i veçantë i komunikimit, reflektim i bërë gojarisht, pa tekst, homelia merr vetvetiu karakter spontan e ngjyrim gazetaresk shumë të fortë. E kjo të shtyn t’i rikthehesh, ta interpretosh pikërisht nga këndvështrimi i botës së komunikimit, në kuptimin më të mirë të kësaj fjale. Natyrisht kështu vihet në pah se Papa është shumë komunikativ, në gjeste sidomos, por edhe në fjalë, që shpesh lidhen ngushtë me aktualitetin e ditës.

Pyetje: - Homelitë e Françeskut në Shën Martë kanë shumë sukses, edhe në këndvështrimin komunikativ. Pse, sipas jush?

Përgjigje: - Sepse janë çasti, ndoshta, më i vetvetishëm i gjithë komunikimit verbal të Papës, pa kujtuar këtu gjestet, që janë po aq spontane. Kanë aftësinë ta tërheqin gjithë vëmendjen e ta komunikojnë me shumë sukses mendimin. Jashtëzakonisht të rëndësishme për jetën e sotme të Kishës.

Pyetje: - Titulli i librit është shumë i qartë, edhe në synimin e tij: “Mendime për Vitin Shenjt”. Besojmë se mund të shërbejë edhe për udhën e shtegtarit, që përgatitet të kapërcejë Portën Shenjte…

Përgjigje: - Mënyra më e drejtpërdrejtë është që të përgjithësohen këto homeli, jo të pakta, në të cilat flitet për Mëshirën e Zotit. Sa e sa herë Papa thotë: “Mos harro se Zoti është pranë teje, se nuk pushon kurrë duke të falur”. Madje, kohët e fundit ka arritur të pohojë edhe se “Zoti i harron deri mëkatet tona më të mëdha”. Kështu mund të themi se të gjitha homelitë përshkohen tej e mbanë nga kuptimi i Mëshirës, temë, kjo, e  Vitit Shenjt. Por nëse i lexon homelitë marrë së bashku, të gjitha japin ndihmesën e tyre për Vitin Shenjt, sepse vënë theksin mbi problemet e njerëzimit bashkëkohor. Libër, që meriton të lexohet.  








All the contents on this site are copyrighted ©.