Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Tekst, për të rilidhur dialogun

Benedikti XVI - RV

01/04/2016 14:02

Të flasësh e të diskutosh, pa e marrë mundimin të lexosh! Ndodh shpesh, për fat të keq. Me një libër, me një artikull shkencor, me një fjalim papnor… Njeriu dëgjon, i çuditur, deri pseudo-personalitete të kulturës, duke folur me siguri të plotë për argumente, që s’i njohin fare e për libra, që s’e kanë marrë mundimin t’i lexojnë. Formë e re e injorancës, kjo? Sidoqoftë, i bën shumë dëm atij që flet, pa ditur e atij që dëgjon, të paditurin. Po kujtojmë sot pikërisht një rast të tillë, që bëri aq bujë, sa tundi mbarë botën. Atë të krisherë e atë islamike, sidomos. Kanë kaluar 10 vjet që asokohe kur  Benedikti XVI mbante një nga fjalimet e tij më të rëndësishme. Ishte data 12 shtator e vitit 2006 e fjalimi mbahej nga katedra e Regensburgut. Një fjalim thellësisht e pastërtisht akademik, i një personaliteti botëror të kulturës, një profesori të mirënjohur, që kishte folur me vjet nga katedrat më në zë të Evropës. Që dinte, prandaj, ta fliste e ta matëte mirë fjalën. Fjalim, që u citua përsëri këto ditë, me rastin e atentateve terroristike me vulë islamiste. E vijon të citohet, ndonëse shpesh duke ia errësuar qëllimin  për të cilin u shkrua e u kumtua:  rehabilitimin e fesë e të arsyes, për ta rilidhur, e jo për ta mohuar, nevojën e një dialogu ndërfetar e ndërkulturor, në mënyrë të posaçme me Islamin.

Një tekst, që ngre një mori pyetjesh

“Oborri i jo besimtarëve”, ka mbledhur një sërë komentesh, kushtuar, nga personalitete të kulturës, fjalimit të Regensburgut, dhjetë vjet pasi u shqiptua. Mund të ndiqen në faqen e internetit “Cortile dei gentili”, strukturë vatikanase, kushtuar dialogut me jo besimtarët, lindur në vitin 2011 në gjirin e Këshillit Papnor të Kulturës. Me këtë fjalim, shpjegon Gabriele Palasciano, student i teologjisë e filozofisë së feve në Vjenë e Strasburg e koordinator i projektit, Benedikti XVI orientoi përpjekjet për dialogun e ri ndërfetar, në një drejtim më të frytshëm, duke treguar se dialogu i vërtetë kalon përmes një udhe të bërë së bashku, gjatë së cilës mund të lindin edhe shumë pyetje. Por pyetje, që lindin nga njohja e fenomenit, jo nga mosnjohja, siç ndodh në rastet e njerëzve, që flasin për libra, fjalime e dokumente, pa i pasë lexuar. E arrijnë deri në atë pikë, sa të pohojnë haptas se nuk i kanë shfletuar e as dëgjuar ndonjëherë. Gjë që nuk i pengon të japin mendime për to, t’i gjykojnë e deri edhe t’i dënojnë. Nganjëherë edhe rreptësisht, siç është rasti i këtij fjalimi magjistral, në të cilin Benedikti bën një mori pyetjesh jo vetëm për Islamin, por edhe për krishterimin. Keqkuptimet lindën pikërisht nga fakti se shumë folën e vijonë të flasin për të, pa e lexuar e, njëkohësisht, e stërmadhojnë atë pjesë, në të cilën nënvizohet pamundësia e bashkëjetesës së fesë me dhunën, duke e lënë në heshtje të plotë kuptimin kryesor thellësisht pozitiv.  

Kurrfarë apologjie për Regensburgun

“Në frymën e Oborrit, me këtë projekt, nuk deshëm t’i bëjmë apologjinë Regensburgut, shpjegon akoma Palasciano, por t’i japim fjalën, miqësisht, njerëzve që, edhe pse me ide të ndryshme nga tonat, janë njëmendjeje me ne për udhën drejt së vërtetës”. Udhë e gjerë, në nivel ndërkombëtar, në të cilën ecin, gjithnjë në kërkim, njerëz që jo vetëm e kanë lexuar atë, për të cilën flasin, por edhe e kanë bluar mirë, para se ta nisin udhën e diskutimit, për ta pranuar ose për t’iu kundërvënë. Me bindjen se fjalët e shqiptuara më 2006 në Regensburg nga Benedikti XVI, edhe pse të interpretuara në mënyra nga më të ndryshmet, kanë brenda bërthamën e fortë të vullnetit për të dialoguar e për të mos e humbur perspektivën e fesë e të arsyes.

01/04/2016 14:02