2016-04-01 11:23:00

Moskë: në tetor, takim botëror për të krishterët e persekutuar


Kisha ortodokse ruse dhe Billy Graham Evangelistic Association (BGEA) do të organizojnë në Moskë, nga 28 deri më 30 tetor, një takim të madh krerësh të krishterë, me temë persekutimin e të krishterëve në botë. Takimi, siç njofton agjencia katolike AsiaNews, duhet të mbledhë në kryeqytetin e Rusisë rreth njëmijë delegatë nga 150 vende. Sipas zëdhënësit të Patriarkatit të Moskës, arsyeja e këtij takimi qëndron në shtimin e persekutimeve masive të të krishterëve, të pashoqe në historinë bashkëkohore, të krahasueshme me persekutimet kundër të krishterëve në shekujt e parë e me shtypjen komuniste e ateiste të shekullit XX.

Të pranishëm, rreth njëqind delegatë katolikë

         Nga ana katolike do të marrin pjesë rreth njëqind delegatë. Shoqata ungjillore është themeluar nga predikatori Billy Graham në SHBA-të, para 50 vjetësh. Kreu aktual i saj është i biri i predikatarit të famshëm, Franklin, i cili është edhe president i organizatës bamirëse “Samaritan’s Purse”.

Bashkëpunimi ndërmjet Patriarkatit të Moskës dhe BGEA-së

         Në pranverën dhe verën e vitit 2015, Patriarkati i Moskës dhe të dyja organizatat ungjillore morën përsipër të ndihmojnë refugjatët e Ukrainës Lindore, ardhur në jug të Rusisë. U shpërndanë 63 mijë pako me ushqime, mjete higjienike, çarçafë, material shkollor dhe lojra për fëmijë. Franklin Graham është mik me kreun e departamentit për marrëdhëniet e jashtme në Patriarkatin e Moskës, mitropolitin Hilarion.








All the contents on this site are copyrighted ©.