2016-04-01 11:44:00

Imzot Hinder: në Jemen nevojitet kultura e ndërmjetësimit


Është gjithnjë e gjallë në Jemen, shpresa për të gjetur atë Tom Uzhunnalil, meshtarin salezian me origjinë indiane, rrëmbyer më 4 mars gjatë sulmit terrorist, në të cilin u masakruan katër murgesha të Nënë Terezës e 12 bashkëpunëtorë të tjerë të Shtëpisë së tyre për të moshuarit në Aden. Ndërkaq, në terren, vijojnë ndeshjet ndërmjet besnikëve të qeverisë dhe milicëve të Al Kaedës në jug, si edhe sulmet e koalicionit arab kundër rebelëve shiitë Houthi. Presidenti Hadi ka propozuar një armëpushim, në mënyrë që palët të ulen në tryezën e bisedimeve. Folëm me vikarin apostolik të Arabisë jugore, imzot Paul Hinder:

         Shpresoj të kemi një rezultat pozitiv. Është e qartë se pas shumë konfliktesh, pas kësaj lufte të tmerrshme 12 mujore, nuk do të jetë e lehtë të pajtohen palët. Por, fakti që flasin, që të paktën kërkojnë një rrugëdalje, është shenjë e mirë e ndoshta, është rezultat i gjendjes, në të cilën, secila prej palëve e kupton se, e vetme, nuk ka mundësi ta fitojë luftën. Duhet të bashkohen, por besoj do të duhet kohë, pasi gjendja është tepër e ndërlikuar.

         Ndërkaq, a hapet ndonjë mundësi për të ndihmuar popullsinë civile, pas kaq muajsh konflikti?

         Ajo, që di unë, është se shumica e njerëzve vuajnë nga uria. Se si mund të ndihmohen është çështje tjetër, sepse ka shumë fraksione, shumë fise, interesa të ndryshme e të kundërta. Nuk është e lehtë të merren vesh. Ndoshta, akoma nuk kanë mësuar ç’është kultura e ndërmjetësimit. Ka rrezik që secili të dojë gjithçka për vete.

         A keni lajme për atë Tomin?

         Para së gjithash, unë shpresoj se është gjallë, madje, jam i bindur për këtë. Si do të lirohet… të shohim…

         Cilat janë shpresat tuaja për Jemenin?

         Kam shpresa, sepse Jemeni është vend me kulturë të lashtë. Është vend i mrekullueshëm, të cilin e vlerësoj shumë. Shpresoj që e ardhmja të jetë më e mirë se gjendja në muajt e fundit, por kemi nevojë për njerëz të aftë të ulen në tryezën e bisedimeve, njerëz të ndershëm, që respektojnë pakicat. Vetëm pas kësaj do të jetë e mundur ta ndërtojmë të ardhmen. Ky komb e meriton.








All the contents on this site are copyrighted ©.