2016-03-31 13:20:00

Nxitja pas-sinodale e Papës “Amoris Laetitia” do të paraqitet më 8 prill


Titullohet “Amoris Laetitia” dhe do të paraqitet të premten, më 8 prill, në orën 11.30, në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Është fjala për Nxitjen Apostolike pas-sinodale të Papës Françesku për dashurinë në familje. Dokumenti është fryt i dy sinodeve për familjen, që u mbajtën në Vatikan në vitin 2014 e në vitin 2015. Në konferencën për shtyp do të marrin pjesë Sekretari i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, kardinali Lorenzo Baldisseri, kryeipeshkvi i Vjenës, kardinali Christoph Schönborn, si edhe bashkëshortët italianë, Francesco Miano dhe Giuseppina De Simone, i pari, pedagog i filozofisë morale në Universitetin romak të Tor Vergatës, ndërsa e dyta, pedagoge e filozofisë në Fakultetin Teologjik të Italisë Jugore në Napoli.

         Konferenca e shtypit mund të ndiqet drejtpërdrejt në faqen internet “Vatikan Player” të Radio Vatikanit (http://player.rv.va), ku do të qëndrojë edhe më vonë “on demand”.








All the contents on this site are copyrighted ©.