2016-03-30 14:37:00

Papa: Zoti i jep gjithnjë kujt mëkaton dinjitetin të ngrihet përsëri në këmbë


 “Ndjesa e Zotit është gjithnjë më e madhe se çdo mëkat”. E pohoi Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në praninë e 30 mijë vetëve. Me katekizmin e sotëm, Ati i Shenjtë përfundoi ciklin kushtuar Mëshirës në Besëlidhjen e Vjetër. Zoti e zhduk mëkatin me gjithë rrënjë, kujtoi Papa, duke theksuar, në përfundim: “Nëse ti dëshiron të falesh, fal!”.

Shtrije dorën drejt qiellit, siç bën fëmija, që e shtrin drejt nënës a atit, kur rrëzohet përdhe. Shtrije kah Zoti. Sepse Ai të fal gjithnjë e ta kthen dinjitetin, duke të ndihmuar të ngrihesh përsëri në këmbë. Të ngre gjithnjë. Sa herë gabon e pendohesh.

Më i madh se çdo mëkat 

Papa Françesku e përfundoi ciklin e katekizmit kushtuar Mëshirës në Besëlidhjen e Vjetër, duke përmbledhur në të, gjithë reflektimin e tij, që është edhe zemra e Jubileut: “Zoti nuk lodhet kurrë duke e falur atë, që  lyp falje”. E, për ta shpjeguar më mirë këtë, citoi vargjet  e Psalmit 51, atij, në të cilin Davidi mbret ngre zërin në kupë të qiellit, i dërrmuar nën barrën e mëkatit të dyfishtë, që ka bërë: grabitjen e gruas së gjeneralit të vet e edhe vrasjen e pabesë të tij. Davidi e ndjen veten të padenjë para Zotit. Ia rrëfen me lot në sy mëkatin. Pendohet me gjithë shpirt. Pa u turpëruar nga mjerimi i  vet, ia beson gjithë vetveten mëshirës hyjnore: “Ki mëshirë për mua, o Zot, sipas mëshirës sate! Pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim! Më laj krejtësisht prej mëkatit! Më pastro prej fajit!”. Kështu lutet me gjithë forcën e shpirtit mbreti i penduar, në gjunjë para Zotit! Fjalë të denja për t’u pësëritur sa herë kërkojmë falje:

“E vetmja gjë, për të cilën ne kemi vërtet nevojë në jetën tonë, është  të falemi, të çlirohemi nga e keqja e nga pasojat e saj vdekjeprurëse. Për fat të keq, jeta na bën t’i provojmë shpesh herë këto situata: e kur na pushton ankthi, duhet t’ia besojmë krejtësisht vetveten mëshirës së Zotit. Zoti është më madh se mëkati ynë. Të mos e harrojmë kurrë këtë! Është shumë më i madh sesa të gjitha mëkatet, që mund të bëjmë”.

Zoti e shlyen mëkatin, e shkatërron

Papa hyri deri në skutat më të fshehta të dinamikës së mëshirës hyjnore. Psalmi, vijoi të pohojë, tregon se ta pranosh fajin tënd, do të thotë të kremtosh drejtësinë dhe shenjtërinë e Zotit. E edhe ta shikosh me sytë e tu se Zoti nuk mjaftohet t’ia shprehë dashamirësinë e tij mëkatarit. Bën shumë më tepër:

“E shkatërron mëkatin, e shlyen. E shkul me gjithë rrënjë, jo siç bëjnë në lavanderi, kur çojmë  rrobat për t’i pastruar. E ua heqin njollën. Jo! Zoti e shlyen mëkatin tonë me gjithë rrënjë, krejtësisht! Pa lënë shenjë as dukë”.

Me ndjesën hyjnore, vijoi Françesku, njeriu e kthen plotësisht faqen e jetës,  hap një faqe të bardhë, të pashkruar. Bëhet krijesë e re, përplot me Shpirtin e Zotit e me gëzim. Madje, shtoi Papa, duke e pranuar hirin hyjnor, mund  t’i mësojmë edhe të tjerët të mos mëkatojnë më.

Kur rrëzohet fëmija, çfarë bën? - pyeti Ati i Shenjtë. - I shtrin dorën s’ëmës a të atit, që ta ngrenë përsëri. Ta bëjmë edhe ne të njëjtën gjë! Nëse ti bie, sepse i ligështuar nga mëkati, shtrije dorën! Zoti do ta shtrëngojë dorën tënde me dorën e tij hyjnore e do të të ndihmojë të ngrihesh përsëri, të çohesh në këmbë, sepse Ai i krijoi burrin e gruan të rrinë në këmbë, e jo të hiqen zvarrë.

Fal, nëse dëshiron të falesh

Së fundi, ndaje hirin hyjnor të faljes edhe me të tjerët. Kush u fal nga Zoti, përfundoi me një ton urdhëror Françesku, nuk mund të mos sillet po kështu me njerëzit, që e rrethojnë. I faluri nuk mund të mos falë:

“Të gjithë ata, me të cilët na rrethoi Zoti, familjarët, miqtë, kolegët, besimtarët e famullisë…. Të gjithë janë, ashtu si ne, nevojtarë për mëshirën e Zotit. Është gjë e bukur të falesh, por edhe ti, nëse do që të të falin, fal edhe ti. Fal!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.