Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Pakistan: mijëra manifestues kërkojnë ekzekutimin e Asia Bibit

Asia Bibi - EPA

30/03/2016 18:14

Që prej disa ditësh, në Pakistan, mijëra manifestues para Presidencës së Islamabadit, kërkojnë dënimin me vdekje të Asia Bibit, gruas së krishterë, nënë pesë fëmijësh, akuzuar padrejtësisht për blasfemi, në burg që prej 7 vjetësh. Demonstruesit deklarojnë se janë “gati të vdesin”, por nuk e lëshojnë vendin, pavarësisht nga ultimatumi i policisë. Protesta filloi të dielën, pas atentatit integralist në Lahore, ku humbën jetën mëse 70 vetë, shumica të krishterë. Zv.presidenti i parë i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, në një letër zyrtare për Përfaqësuesen e lartë të politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, kërkon: “Bashkimi Evropian të veprojë menjëherë për të mos lejuar ekzekutimin e Asia Bibit”. Fatkeqësisht, mediat ndërkombëtare heshtin për këtë ngjarje dramatike. Të dëgjojmë kreun italian të shoqatës “Veprimi Katolik”, Matteo Truffelli:

Fatkeqësisht, janë lajme, që shumë lehtë përfundojnë në faqen e dytë, të tretë e të katërt e, kështu, edhe jashtë gazetës. Vërtet, lajmi nuk përbën ‘lajm’ për gazetarët. Asia Bibi është viktimë e ligjit për blasfeminë, i cili, paradoksalisht, lind për të mbrojtur lirinë e fesë. U ndryshua në vitet ’80 për të mbrojtur ekskluzivisht islamizmin. Asia Bibi akuzohet padrejtësisht e mbahet në burg vetëm sepse nuk pranon të përulet para dhunës së këtij ligji.

Jemi menjëherë pas atentatit kundër të krishterëve e tani, edhe protesta, gjithnjë kundër të krishterëve. Por nuk duhet të kemi frikë…

Ashtu është, sepse duke hequr dorë nga çfarë jemi – një demokraci tolerante, e lirë, një projekt bashkëjetese paqësore – nuk do ta mundim terrorizmin, por do ta lemë të fitojë. Mendoj se kemi të bëjmë me një luftë – siç e ka thënë edhe Papa: “Luftë Botërore pjesë-pjesë” – por me një luftë aspak normale, që nuk fitohet me tanke, duke ngritur mure, duke krijuar geto, siç ndodhi me bashkësinë islamike në Bruksel. Kemi të bëjmë me vullnetin për ta goditur këtë projekt të bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve, kulturave e mënyrave të ndryshme të të jetuarit. Të bën përshtypje fakti që objekt i dhunës është një pakicë e vogël. Të krishterët në Pakistan, katolikë e protestantë, shumica të varfër, janë më pak se 2% e popullsisë. Natyrisht, nuk përbëjnë rrezik për myslimanët e vendit. Prandaj, është i qartë plani për ta shembur perspektivën e bashkëjetesës paqësore; është i qartë plani për të vënë në diskutim ekuilibra, të cilat, në fund të fundit, e kanë karakterizuar Pakistanin që nga zanafilla e tij.

30/03/2016 18:14