Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Komisioni “Drejtësi e paqe”: Pakistani duhet t’i bëjë ballë fundamentalizmit

Lutje për viktimat e Lahores në Pakistan - AP

30/03/2016 14:19

Vrasja, në emër të fesë, “është e papranueshme, sidomos kur vdesin të pafajshëm, ndër të cilët, edhe gra e fëmijë. Përveç përgjigjes ushtarake, qeveria pakistaneze duhet të kërkojë rrënjët e këtij fundamentalizmi të dhunshëm e duhet t’i shkulë”. Kështu shkruan Komisioni vendor ipeshkvnor “Drejtësi e paqe”, në një dokument të nënshkruar nga kryetari, imzot Joseph Arshad, dhe nga drejtori kombëtar, atë Emmanuel Yousaf.

Më tepër drejtësi e masa për mbrojtjen e qytetarëve

Komisioni, njofton agjencia AsiaNews, dënoi atentatin e talibanëve në Lahore, që në ditën e Pashkëve, shkaktoi mëse 70 të vdekur e rreth 300 të plagosur. Megjithëse synimi ishte të goditeshin të krishterët, thuhet në dokument, “shumë vëllezër e motra humbën jetën, ndërsa ndodheshin në park në një të dielë feste. Lutemi për të gjitha viktimat e këtij sulmi, të cilat, para së gjithash, ishin pakistanezë. Kryeministri dhe kreu i ushtrisë e dënuan ngjarjen: bëjmë thirrje që përgjegjësit të dalin para drejtësisë e që të përforcohen masat për mbrojtjen e qytetarëve, sidomos të anëtarëve të pakicave dhe të shtresave më të brishta”.

Qeveria pakistaneze duhet të gjejë shkaqet

Gjithsesi, nuk mjafton të përgjigjemi vetëm me ushtri: “Ekzekutivi të bëjë veprimet e veta, por duhet të përgjigjet për shkaqet e kësaj intolerance. Duhet të bëjë një operacion në shkallë të gjerë për t’i zhdukur këto elemente, akoma mbizotëruese, jo vetëm në provincën e Punjab-it, por edhe në anë të tjera të vendit, ku po veprojnë në kundërshtim të plotë me të drejtën e me ligjin e shtetit”.

Kisha kërkon falje, tolerancë e paqe

Në Pakistan, përfundojnë imzot Arshad dhe atë Jousaf, “pasiguria për jetën është gjithnjë e më e zakonshme. Lusim Zotin tonë Jezu Krisht t’i japë kombit faljen, tolerancën dhe paqen. Hyji u dhashtë familjeve të viktimave forcën e nevojshme për të përballuar humbjen e të dashurve të tyre”.

30/03/2016 14:19