2016-03-29 13:31:00

Këshilli i Kishave: sulmi në Pakistan tronditës dhe mizor


“Tronditës dhe mizor”: kështu e quan Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave, pastori protestant Olav Fykse Tveit, sulmin terrtorist të Pashkëve, në parkun publik të Lahores në Pakistan, ku mbetën të vrarë mëse 70 vetë, ndër të cilët 50 të krishterë. Humbën jetën edhe myslimanë e fëmijë, ndërsa 300 vetë u plagosën. Atentati u mor përsipër nga talebanët.

Sulm, veçanërisht tronditës

“Kemi të bëjmë me një sulm, veçanërisht tronditës – shkruan Tveit në një deklaratë – së pari, sepse duket se ka pasur synimin e qartë për të goditur fëmijët, të cilët, thjesht, po argëtoheshin në park”. Së dyti, nënvizon ai, “koha e atentatit është zgjedhur për të goditur pakicën e brishtë të krishterë në Pakistan, në një nga ditët më të shenjta të kalendarit liturgjik”, pra, për Pashkë.

Të impenjohemi për të respektuar njeriun

 “Para kësaj mizorie – vazhdon Tveit – familja njerëzore, të gjithë njerëzit vullnetmirë e fetarë duhet të bashkohen e të impenjohen në favor të respektit e të kujdesit për të afërmin, për mbrojtjen e të tjerëve dhe për parandalimin e kësaj dhune”. Më pas, duke inkurajuar besimtarët të luten e të solidarizohen me viktimat e me familjarët e tyre, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave nxit qeverinë dhe autoritetet e Pakistanit “të bëjnë më shumë për mbrojtjen e gjithë popullsisë – të krishterë, myslimanë e të feve të tjera - nga dhuna e kriminelëve ekstremistë”.

Të mbrohet parimi i lirisë fetare

“Parimi i lirisë së fesë e të besimit për të gjithë – përfundon Tveit – duhet të afirmohet e të mbrohet në Pakistan e në gjithë botën, si përgjegjësi themelore, etike e ligjore e qeverive”. Së fundi, pastori protestant nënvizon se “çdo përdorim i dhunës në emër të fesë, ose i motivuar nga feja, është jashtëzakonisht i papranueshëm dhe i rrezikshëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.