2016-03-27 00:00:00

Pashkë në Jeruzalem. Twal: Krishti i ngjallur i mund dhunën e mërinë


“Ju kumtoj një gëzim të madh, që është Aleluja!”. Me këto fjalë, drejtuar nga diakoni Patriarkut Twal dhe bashkësisë, mbledhur për të kremtuar Natën e Pashkëve në Bazilikën e Varrit Shenjt, u dha lajmi i madh i Ngjalljes së Krishtit!

Është ende mëngjes heret. Reshet një shi i butë pranveror e qyteti shenjt është ende i mbështjellë me heshtjen e natës. Kështu i pret rregulltarët, të krishterët  vendas e shtegtarët e shumtë. Janë nisur kah Bazilika e Varrit të Shenjtë, duke ndjekur shembullin e grave të Ungjillit, sipas tregimit të Shën Lukës ungjilltar. Të cilin Patriarku e lexoi pikërisht para Varrit të zbrazur. “Ditën e parë të javës, heret në agim, ato shkuan tek varri, duke marrë me vete aromat, që i kishin bërë gati”…

 “Nëna e të gjitha netëve pa gjumë” e quan liturgjia. Një rit i gjatë me shijen e traditës, i shoqëruar nga një mori shenjash simbolike, karakteristike për kremtimin aty, ku ndodhi ngjarja, në Jeruzalem. Bekimi i zjarrit, në fillim të kremtimit. Drita e qiriut të Pashkëve, më pas. E këtu ndizet drejtpërdrejt tek Varri: e më pas, tek kjo flakëz e vogël ndizen një nga një edhe qirinjtë e besimtarëve. “Është drita e Krishtit, që ngjallet me lumni”, kumton, duke kënduar, Patriarku. Tingujt e organos e të këmbanave shoqërojnë Këngën e Lavdisë, në Anastasis, siç quhet ky vend shenjt. Bekimi i ujit, pastaj, në anën veriore të Anastasis, për përsëritjen e premtimeve të pagëzimit, shoqëruar me stërpikjen e besimtarëve, shenjë e re shprese.

Të pranishëm, shumë shtegtarë, në një kremtim të kryesuar nga Patriarku latin Fouad Twal, bashkëkremtuar nga një mori ipeshkvijsh e meshtarësh, ardhur nga mbarë bota. Në fjalët e Patriarkut, kuptimi i kësaj liturgjie të gjatë e të paharrueseme, atje, ku nisi historia e shëlbimit:

“Kremtimi i sotëm është kremtim drite. Ka kuptim sot, më shumë se kurrë. Kur bota jonë jeton në errësirë, në dhunë, në urrejtje, vjen drita e Krishtit, për të na thënë: ‘Unë jam drita, jam udha!’. Urime të gjithëve. Gëzuar!”

Prej këtu u nis kumtimi i parë i Pashkëve, që jehoi në mbarë botën: drita fitoi mbi errësirën. Krishti u ngjall. Janë Pashkët e Jeruzalemit!   








All the contents on this site are copyrighted ©.