2016-03-27 16:25:00

Lulet në Sheshin e Shën Pjetrit, sivjet, simbol i mëshirës


Në dokumentin e tij kushtuar krijimit, Papa kujton se Françesku i Asizit ishte aq pranë natyrës, sa u predikonte deri luleve. Sot, 27 mars, lulerritësit holandezë e stolisën përsëri tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, mbi të cilën u drejtuan sytë e mbarë botës, me më se 35 mijë lule, bimë e pemë zbukuruese në lulëzim. Është tashmë viti i 30-të që sektori i lulerritësve holandezë vjen të stolisë këtë vend, në këtë solemnitet, të ndjekur nga miliona teleshikues nga të katër anët e botës. E jo më pak, nga turistët, që kalojnë Pashkët në Romë e nuk mund të largohen pa e parë këtë pranverë të jashtëzakonshme, që mbin papritmas mbi gurë.

Mesazhi

E sivjet zbukurimi, përveçse kornizë e kremtimit fetar, ishte edhe simbol  i mesazhit të Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës, shpallur nga Papa Françesku. Pashkët e Ngjalljes janë ngjarje e pashembullt, për të nënvizuar vlerën e luleve e të pemëve, pjesë përbërëse e një mori çastesh të rëndësishme të jetës njerëzore.

E nuk kanë mbirë e as janë rritur në një ditë të vetme, këto lule: përgatitja e tyre filloi që vjeshtën e kaluar. Në shkurt, duke pasur parasysh se lulet nisin të lulëzojnë pas Pashkëve, shtegtaret drejt Romës u ngujuan në gonxhe, për të shpërthyer ku e kur duhej: në këtë Shesh e në këtë Ditë  solemne. Për këtë punuan 25 lulerritës holandezë, që u nisën që të martën e kaluar nga Holanda, për të arritur në Romë të enjten, bashkë me lulet, vendosur në mjedise  të përshtatshme me ajër të kushtëzuar. Çast magjik ky; çdo vit një kamion ngarkuar me lule arrin në Sheshin e Shën Pjetrit. Të premten lulerritësit krijojnë kompozimet e mëdha. Në orën 06.00 të së shtunës, nisin vendosjen përfundimtare të zbukurimeve të sheshit.

Simbolika

Sivjet lulet kanë dhe vlerë simbolike: nënvizojnë mesazhin e Pashkëve të Mëshirës. Si zakonisht, sundojnë ngjyra e verdhë dhe e bardhë, ngjyrat simbolike të Shtetit të Qytetit të Vatikanit. Ndërsa zbukurimi i tremes është kompozuar kryesisht me trëndafilë Avalanche. Ngjyra e tyre e bardhë është simbol i dashurisë së pastër shpirtërore, i besimit, pafajnisë, jetës së re e përvujtërisë, vlera, që përfshihen përsosurisht në temën e mëshirës.

Ndërsa lozha, prej nga Papa i dha bekimin apostolik dhe ndjesën e plotë Romës e Botës, ishte stolisë me Pyrus, degë të lulëzuara nga druri i dardhës, simbol i dashurisë së Krishtit për njerëzimin. Nga kjo lozhë Françesku i falënderoi nga zemra  lulerritësit e Holandës, që e  përhapën në mbarë botën Mesazhin e mëshirës, shkruar me gjuhën e heshtur të luleve.








All the contents on this site are copyrighted ©.