2016-03-22 12:04:00

Piqué: tre vjet homeli në Shën Martë, Ungjilli për të gjithë


Më 22 marsin e vitit 2013, Papa Françesku kremtonte meshën e tij të parë në Shtëpinë e Shën Martës, para një grupi punëtorësh e punonjësish të Shërbimit të Kopshteve të Vatikanit. Atë mëngjes, sipas shumë analistëve, fillon të pulsojë zemra e kësaj papnie. Folëm me vatikanisten argjentinase të gazetës “La Nacion”, Elisabetta Piqué, njëkohësisht, biografe e Horhe Mario Bergoljos, të cilin e njeh prej vitesh:

Sipas meje, suksesi qëndron në mënyrën e jashtëzakonshme të komunikimit të Papës: të gjithë arrijnë ta kuptojnë çfarë thotë. Meshët ndiqen në të gjithë botën e jo vetëm nga besimtarët, por edhe nga diplomacia. Ai na bën ta jetojmë Ungjillin, pra, kthehet tek thelbi dhe e shpjegon atë në mënyrë të kuptueshme, shumë të lehtë për të gjithë. Gjithashtu, e lidh me botën e sotme, prandaj arrin drejtpërdrejt në zemrat e njerëzve. Është mirë të kujtojmë se homelitë e tij janë bërë libra, që publikohen në të gjithë botën. Ato janë zemra e kësaj papnie: ky “kthim në thelbësoren”.

Shumë nga idetë e papnisë së Atit të Shenjtë lindin pikërisht nga homelitë e meshëve në Shën Martë…

Po, po: e gjithë kjo konfirmon pse ne gazetarët - por jo vetëm gazetarët, por edhe ata, që ndjekin Vatikanin - e dinë se pikëspari duhet të shohin homelitë e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, ku gjendet thelbi i mesazhit të këtij Pape.

Homelitë e meshës në Shën Martë janë edhe shembull komunikimi e kanë popullaritet të madh në rrjetet shoqërore…

Kjo mendoj se është edhe pasqyrë e kohëve, që po jetojmë. Papa e kupton fort mirë dhe vetëm pak ditë më parë sbarkoi në Instagram… Megjithëse më kujtohet se në një nga udhëtimet e kthimit me avion, pati thënë: “Ah, unë ndjehem njeri prehistorik para gjithë këtyre ‘rrjeteve shoqërore’, ‘tweet’-eve….” etj.. E megjithatë, ai e di se jetojmë në një botë ku rrjetet shoqërore kanë rëndësinë e vet, prandaj e ka të qartë se mesazhi i tij duhet të jetë i kuptueshëm edhe për një fëmijë. E kjo shpjegon edhe suksesin e këtij Pape në rrjetet shoqërore.

         Ju e njihni Horhe Mario Bergoljon para se të zgjidhej Papë. Çfarë kujtoni nga homelitë e tij në Buenos Ajres? Ka ndryshime apo të sotmet janë vazhdimësi e tyre?

         Mendoj se ka vazhdimësi të jashtëzakonshme, sepse ai, gjithnjë, e ka pasur këtë karakteristikë. Ka qenë prift, që ka predikuar në mënyrë vërtet tërheqëse e 40-vjeçarëve të sotëm u kujtohet katekizmi i tij, kur i përgatiste për Kungimin e parë. E kujtojnë këtë mjeshtër të madh të predikimit, që e bën të kuptueshme dhe e aktualizon Fjalën e Zotit, pra, Ungjillin. Kjo është dhuratë, që e ka pasur gjithmonë, edhe para se të shugurohej meshtar, kur ishte mësues i letërsisë dhe i psikologjisë në Colegio de la Immaculada Concepciòn de Santa Fe. Nxënësit e kujtojnë si mësues, që i bënte të reflektonin e të mendonin. Pra, mendoj se këtë aftësi e ka pasur gjithmonë. Natyrisht, si Papë, me siguri frymëzohet më shumë nga Shpirti Shenjt e kjo e ndihmon, por aftësinë komunikuese, aftësinë për të shpjeguar e për të arritur në zemrat e njerëzve… këtë besoj e ka pasur gjithmonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.