2016-03-21 13:28:00

Udha e Kryqit: meditime për emigrantët, familjet dhe të krishterët e persekutuar


“Zoti është mëshirë”: ky është titulli, që kardinali Gualtiero Bassetti u jep meditimeve për Udhën e Kryqit, që do të kryesohet nga Papa Françesku, të Premten e Madhe, në Koloseum, duke filluar nga ora 21.15. Tekstet publikohen nesër nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV). Kryeipeshkvi i Peruxhias vë në dukje se para frikës së njeriut, para dhimbjes, persekutimeve e dhunës, mëshira është kanali i hirit, që nga Zoti arrin tek të gjithë. Në 14 ndalesat e Udhës së Kryqit do të dëgjojmë edhe citime nga don Mazzolari, atë Turoldo e shën Gjon Pali II, së bashku me reflektimet për të krishterët e persekutuar, për hebrenjtë e vrarë në kampet e shfarosjes, për familjet në vështirësi dhe për arrogancën e të pushtetshmëve të sotëm.

Në emigrantët, fytyra e Krishtit

         Udha e Krishtit drejt Golgotës është dhurata e skajshme e mëshirës së Zotit për njerëzit. Në Jubileun kushtuar kësaj mëshire, Udha e Kryqit me meditimet e kardinalit Gualtiero Bassetti synon ta dëshmojë këtë dashuri pa fund, që arrin deri në “shkandullin e kryqit”, duke iu kundërvënë meskinitetit njerëzor e duke marrë pjesë në vuajtjet e botës. Trupi i fshikulluar dhe i poshtëruar i Jezusit “na tregon udhën e drejtësisë”, “drejtësinë e Zotit, që e shndërron edhe vuajtjen më barbare në dritën e ringjalljes”. Por, ashtu si Pilati, edhe sot ka nga ata, që kanë frikë mos humbasin sigurinë e tyre nëse zgjedhin të Vërtetën e Zotit, ose nga ata, që kanë frikë nga të huajt, nga emigrantët e nuk arrijnë të shohin fytyrën e Krishtit në ta.

Hebrenj të vrarë në kampe e të krishterë të persekutuar

         Gjatë ndalesave të Udhës së Kryqit ka kohë për reflektime të thella, si në çastin kur Jezusi bie për herë të parë, nën peshën e Kryqit. Nëse nganjëherë, njeriu i sotëm e konsideron vuajtjen absurde, meditimi i kardinalit Bassetti na bën të kuptojmë “sa liri dhe forcë e brendshme” qëndron në atë pengim njerëzor, në të cilin Krishti na zbulohet në një formë të re. E atëherë, të gjitha pse-të drejtuar Zotit kthehen në lutje: “për hebrenjtë e vdekur në kampet e shfarosjes, për të krishterët e vrarë për shkak të fesë, për viktimat e çdo persekutimi”.

Dhimbja e familjeve të ndara

         Pastaj, në Jezusin, që takon të ëmën, shihet imazhi i familjes, “qelizë e patjetërsueshme e jetës së përbashkët” dhe “arkitrau i pazëvendësueshëm i marrëdhënieve njerëzore”. Ndërsa, në gjestin plot dhembshuri të Veronikës, që i fshin Jezusit fytyrën, mund të shohim dashurinë e fuqishme, që sfidon gjithçka, për t’u bërë dhuratë. Çasti kur Jezusi bie për herë të dytë na mëson se mëkati na bën të biem disa herë e se nuk e shpëtojmë veten vetëm me forcat tona; rënia e tretë nën peshën e kryqit na kujton vuajtjen e familjeve të ndara, të atyre që nuk kanë punë, të shumë të rinjve të paguar keq. E kështu, do t’i lutemi Zotit për të gjithë të vuajturit për shkak të martesave të dështuara, për shkak të tragjedive të jetës apo të ankthit për të ardhmen.

Fëmijët e shpërdoruar

         Jezusi i zhveshur edhe nga manteli, që e bënë copë-copë, na kujton – nënvizon në meditimet e tij, kardinali Bassetti – “fëmijët e profanuar në intimitetin e tyre”, ata që kanë pësuar abuzime, pa u respektuar as dinjitetin. Por, pikërisht nga Kryqi i Krishtit, shkëlqen “gjithëpushteti që zhvishet”, “urtia, që e përul veten deri në marri”, dashuria “që ofrohet si fli”. Pranë Jezusit, dy keqbërës: njëri propozon “të ikë nga kryqi e ta zhdukë, kështu, vuajtjen”. Por kjo është logjika e “kulturës së hedhurinave”, vë në dukje kardinali. Tjetri e pranon vullnetin e Zotit dhe e hedh vështrimin kah qielli, duke ia hapur zemrën “kulturës së dashurisë e të faljes”.

Arroganca e të pushtetshmëve

         Jezusi vdes në kryq, por, i tiji, “është kremtimi më i lartë i dëshmisë së fesë”, ashtu si ai i martirëve të shumtë, edhe të shekujve të fundit, “apostuj të vërtetë të botës bashkëkohore”, ndër të cilët, në meditime përmenden Massimiliano Kolbe dhe Edith Stein. Po edhe dëshmia e Jozefit të Arimatesë është e këtij lloji, pasi kur kërkon trupin e Krishtit për ta varrosur me thjeshtësi e pa teprime, sjellja e tij bëhet “mikpritje, dhuratë e dashuri”, krejt në kundërshtim me “salltanetin, banalizimin dhe madhështinë e funeraleve të të pushtetshmëve të kësaj bote”. Guri i rëndë rrotullohet e mbyll varrin e Jezusit, por vdekja nuk e ka fjalën e fundit, pasi në errësirën e atij varri të Jeruzalemit, në heshtje, Zoti është vënë “në punë… për të krijuar një hir të ri në njeriun” që e do.








All the contents on this site are copyrighted ©.