Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Mesha e së Dielës së Larit: shumëkujt nuk i intereson fati i refugjatëve

Papa kremton të Dielën e Larit - AP

20/03/2016 11:50

Papa Françesku kryesoi sot, në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e mijëra vetëve, Meshën solemne të së Dielës së Larit. Para fillimit të kremtimit,  së bashku me kardinajtë, shkoi me procesion deri te Obelisku, ku bekoi rremat e ullirit, në duart e turmës. Më pas u drejtua kah elteri i tremes, për të vijuar liturgjinë.

Sheshi sivjet u zbukurua me lule nga ndërmarrja e Dhomës së Tregtisë së Imperias “Riviera e luleve”, e cila përdori 10 mijë bimë aromatike, 7 mijë filiza lulesh e 30 mijë degë ullinjsh, që iu shpërndanë besimtarëve. Përveç kësaj, sipas traditës, në vijim tashmë prej disa vitesh, me këtë rast Konsorciumi “Udha”  solli në Shesh 2.300 palma të gërshetuara, që në Itali njihen me emrin palmurelli, ardhur nga viset sanremese.

“Bekuar ai, që vjen në emër të Zotit!” (krh LK 19,38) brohoriste  gëzueshëm turma në festë në udhët e Jeruzalemit, duke pritur Jezusin”. Me këto fjalë e filloi Papa homelinë, duke krijuar menjëherë atmosferën e së Dielës së Larit. E bëmë tonin - shtoi - këtë entuziazëm, duke tundur palmat e rremat e ullirit, shprehëm lavdërimin e gëzimin, dëshirën për ta pritur Jezusin, që vjen mes nesh. Po, ashtu siç hyri në Jeruzalem, Ai dëshiron të hyjë edhe në qytetet tona, në jetët tona. Ashtu si në Ungjill, kaluar mbi gomar, vjen mes nesh përvujtërisht, por vjen në emër të Zotit: e me pushtetin e dashurisë së Tij hyjnore, na i fal mëkatet tona e na pajton me Atin e me vetveten.

Jezusi është i kënaqur nga festa popullore, nga dashuria e njerëzve. E  kur farizenjtë i kërkojnë t’ua mbyllë gojën fëmijëve e edhe të tjerëve, që e brohorasin, përgjigjet: “Nëse këta do të heshtin, atëherë do të bërtasin gurët!” (Lk 19,40). Asgjë nuk mund ta ndalte entuziazmin për hyrjen e Jezusit: asgjë nuk mund të na ndalë të gjejmë në Të burimin e gëzimit tonë, gëzimin e vërtetë, që mbetet e jep paqe; sepse vetëm Jezusi na shpëton nga leqet e mëkatit, të vdekjes, të frikës e të trishtimit.

Por Liturgjia e sotme na mëson edhe se Zoti nuk na shpëtoi me hyrjen e Tij ngadhënjimtare ose me mrekulli të jashtëzakonshme. Shën Pali Apostull, në Leximin e dytë, e përmbledh me dy folje udhën e shpërblimit: e “zbrazi” dhe e “përuli” vetveten (Fil 2, 7.8). Këto dy folje na tregojnë deri në ç’pikë arriti dashuria e Zotit për ne. Jezusi e zbrazi  vetveten; hoqi dorë nga lavdia e Birit të Zotit e u bë Bir i njeriut, për të qenë në gjithçka solidar me ne, mëkatarët. Ai, që është i pamëkat, jetoi mes nesh si shërbëtor” (v. 7): jo si mbret, as si princ, por si shërbëtor. U përul, pra, e honi i përuljes së Tij, që na e tregon Java e Madhe, duket pa fund e pa anë.

Gjesti i parë i kësaj dashurie “deri në fund të fundit” (Gjn 13,1) është larja e këmbëve. “Zoti e Mësuesi” (Gjn 13,14), përulet te këmbët e dishepujve, ashtu si bënin vetëm shërbëtorët. Na tregoi kështu, me shembullin e vet, se   kemi nevojë për dashurinë e tij, që përkulet mbi ne; nuk mund të bëjmë pa të, nuk mund të duam, pa na dashur më parë Ai, pa provuar dhembshurinë e tij mahnitëse e pa pranuar se dashuri e vërtetë është ajo, që shërben konkretisht.

Po ky është vetëm fillimi. Përulja, që pëson Jezusi, arrin kulmin në mundimet e Tij: shitet për tridhjetë aspra e tradhtohet me puthjen e njërit nga dishepujt, të cilin e kishte zgjedhur vetë dhe e kishte quajtur mik. Gati gjithë të tjerët ikin, e braktisin: Pjetri e mohon tri herë në oborrin e Tempullit. I poshtëruar në shpirt me tallje, fyerje, pështymë, pëson vuajtet më mizore: shkopi, kamxhiku e kurora e ferrave e shpërfytyrojnë. Nuk njihet më. Pëson edhe poshtërsinë dhe dënimin e autoriteteve fetare e politike:  bëhet mëkat e njihet si i padrejtë. Pilati, pastaj, e çon tek Herodi  e ky, tek governatori romak: ndërsa i mohohet çdo drejtësi, Jezusi provon mbi lëkurën e vet edhe indiferencën, sepse askush nuk do ta marrë mbi vete përgjegjësinë për fatin e Tij. E unë mendoj për shumë njerëz, shumë refugjatë. Për fatin e tyre shumëkush nuk do ta marrë mbi vete  përgjegjësinë. Turma, që pakëz më parë e pati brohoritur, i shndërron britmat e brohorisë në britma akuze, duke  arritur deri atje, sa të  kërkojë lirimin e një vrasësi në vend të Tij. Arrin, kështu, tek vdekja në kryq, më e dhimbshmja e më poshtruesja. Me kryqëzim dënoheshin vetëm tradhtarët, skllevërit e kriminelët më të tmerrshëm. Vetmia, përgojimi, dhimbja, nuk janë akoma kulmi i zbrazjes së Tij. Për të qenë solidar me ne në gjithçka, mbi kryq provon edhe braktisjen misterioze të Atit. E në braktisjen e kryqit, lutet e ia beson vetveten: “Atë, në duart tua po e lëshoj shpirtin tim” (Lc 23,47). I varur në kryq, përveç talljes, përballon edhe tundimin e fundit: ngacmimin për të zbritur nga kryqi, për ta mundur të keqen me forcë  e për të treguar fytyrën e një Zoti të fuqishëm e të pathyeshëm. Po Jezusi, pikërisht këtu, në kulmin e shpartallimit, zbulon fytyrën e vërtetë të Zotit, që është mëshira. I fal kryqëzuesit, ia hap portat e Parajsës hajdutit të penduar, prek zemrën e centurionit. Nëse i humnershëm është misteri i së keqes, edhe më i pafundmë është realiteti i Dashurisë, që e përshkoi, duke arritur deri në varr e në errësirën e nëndheshme, duke marrë mbi vete gjithë dhimbjen tonë, për ta shpërblyer e duke sjellë dritë në errësirë, jetë në vdekje, dashuri në urrejtje.

Mund të duket tepër e largët nga mendësia jonë, mënyra si vepron Zoti. Që u asgjësua për ne, ndërsa ne na duket tejet e vështirë ta harrojmë sadopak vetveten. Ai vjen të na shpëtojë, e ne jemi të thirrur të zgjedhim rrugën e Tij të shërbimit, të dhuratës, të harrimit të vetvetes. Mund të ecim në këtë rrugë, duke u ndaluar këto ditë për ta parë të Kryqëzuarin. Është “katedra e Zotit”. Ju ftoj kësaj jave ta shikoni shpesh këtë “katedër të Zotit”, për të mësuar dashurinë e përulur, që shpëton e jep jetë, për të hequr dorë nga egoizmi, nga kërkimi i pushtetit, i famës. Me përvujtërinë e Tij Jezusi na fton të ecim në rrugën e Zotit. T’ia ngulim sytë Atit, t’i lypim hirin që të kuptojmë të paktën diçka nga ky mister i asgjësimit të Tij për ne: e kështu, në heshtje, ta kundrojmë misterin e kësaj jave!”.  

20/03/2016 11:50