2016-03-18 16:12:00

Jubileu. Veprat e mëshirës: Krishterimi dhe mikpritja ndër shqiptarë


Folëm, në emisionin e kaluar, për rrënjët e lashta indoevropiane të mikpritjes ndër shqiptarë. Deri kur Shën Pali shkeli në trojet ilire, mikpritja ishte vetëm zakon, i përcjellë brez mbas brezi që nga mugëtirat e historisë. Por kur nisi të përhapej kristianizmi në trojet ilire, edhe ky zakon fitoi tipare të reja. Me ardhjen e Krishtit, strehimi i shtegtarëve u shndërrua dalngadalë në vepër mëshire. Jezusi, duke marrë natyrën njerëzore, solli mes njerëzve Urdhërimin e ri: të duhen si vëllezër. E Ai vetë deshi të ishte vëllai i tyre, madje, më i vogli ndër ta. Mjafton të citojmë, këtu, një fragment të Ungjillit të Shën Mateut, për ta kuptuar se Krishti u duk njëkohësisht si Mbreti i universit, si gjykatësi më i lartë e si vëllai i të gjithë njerëzve: “ … Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre, që janë në të djathtën e Tij: ‘Ejani, o të bekuarit e Atit tim! Merreni mbretërinë, që u bë gati për ju qysh nga fillimi i botës! Sepse pata uri, e më dhatë të ha, pata etje, e më dhatë të pi, isha shtegtar, e më përbujtët; i zhveshur, e më veshët; i sëmurë, e erdhët të më shihni; në burg, e erdhët të më vizitoni!”…

Isha shtegtar - thotë Krishti- edhe në malet e thepisura të Shqipërisë, ku u ngjita, kur deshën të më dëbojnë nga ultirat e lulëzuara nën shenjën e Kryqit!

Që nga dita kur Krishti i shqiptoi këto fjalë, krishterimi pa gjithnjë tek shtegtari, ashtu si tek çdo njeri, figurën e vetë Zotit. Prej këndej, shqiptari i krishterë nisi ta shikojë copën e bukës dhe kupën e ujit, dhënë shtegtarit, si dhuratë, që i bëhej vetë Krishtit i cili, si shpërblim, i premtonte jetën e pasosur.

Duke komentuar këtë fragment ungjillor, Shën Ambrozi na kujton: “Shtegtari është lajmëtar i Zotit, i dërguar për të vënë në provë zemrën e njerëzve. Mund të jetë vetë Zoti ai, që të krishterët e mirë e presin me sofër shtruar, me bukë gruri e kupa vere, që të vijë tek ata si mik, të paktën për Krishtlindje”.2

Letërsia e krishterë ka një mori legjendash, që flasin për dukjen e Jezusit me pamjen e shtegtarit. Meriton të tregohet legjenda e shën Julianit, mbretit të Egjiptit që, pasi mbyti gabimisht prindërit, shkoi tek Papa për të rrëfyer mëkatin e Papa ia zgjidhi. Por i dha edhe pendesën. Duhet të ndërtonte një shtëpi, për të strehuar gjithë shtegtarët, në emër të Zotit. E ai  ngriti jo një, por dy shtëpi. Njërën, rrëzë një pylli të dendur, në breg të një lumi të frikshëm. Aty  shtegtarët i priste një varkë, që i nxirte shëndosh e mirë matanë, tek shtëpia tjetër, e pajisur me të gjitha të mirat. Që aty mund të vijonin qetë-qetë shtegtimin. Tani, një ditë prej ditësh, në breg të lumit arriti një i gërbulur, i mbuluar me plagë. Pasi shenjti e priti si mbret, iu duk në gjithë shkëlqimin e Tij hyjnor e i tha: “Shiko, Julian, unë jam Krishti e t’i kam falur të gjitha mëkatet. Për më tepër, po të them se  pas dhjetë ditësh do të jesh me mua në Parajsë”. E shoqja, duke i dëgjuar fjalët e Krishtit, iu lut: “Po mua, Zoti im, ku po më lë?”. Gruaja nuk donte të mbetej vetëm. E Zoti ia dëgjoi lutjen, ia la burrin, por i porositi të dy t’i mësonin shtegtarët ta thoshin, para shtegtimit, dy herë Atynën për shpirt të prindërve të mbytur të Julianit, për të bërë, kështu, udhë të mbarë e për të gjetur strehë e mikpritje. E si u dha këtë porosi, u zhduk.

Kuptimplote, kjo legjendë, që na kujton gurët e pushimit të shtegtarëve në shtigjet e përhumbura të maleve tona, duke treguar se krishterimi e fisnikëroi në kulm mikpritjen e lashtë, përmes urdhërimit të ri, atij të vëllazërimit universal. Shqiptari nuk ndërtoi ndonjë shtëpi, si Juliani. Sepse shtëpia e tij qe gjithnjë “E Zotit dhe e mikut”, të cilin e priti  me përshëndetjen “Mirëse të ka prû Zoti” e me bukë, krypë e zemër. Pa harruar se buka e kripa janë elementet e domosdoshme për jetën njerëzore. Por, po s’u shtruan në sofër me gjithë zemër, e humbasin vlerën e shijen. 








All the contents on this site are copyrighted ©.