2016-03-14 18:16:00

Imzot Gallagher: liria fetare, gjithnjë më në rrezik në botë


“Bashkësia ndërkombëtare duhet ta ripohojë të drejtën për liri fetare e të dënojë çdo tip diskriminimi dhe intolerance për motive fetare, në të katër skajet e botës”: kjo thirrja e fortë e imzot Paul Richard Gallagher, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, që foli këto ditë, në Romë, në një takim për formimin misionar. I përqendruar tek tema “Kisha jonë është Kishë e martirëve”, takimi organizohej nga Qendra dioqezane për bashkëpunimin ndërmjet Kishave.

Thellohen diskriminimet. Duhet bashkëpunim konkret ndërmjet shteteve

Në fjalimin e tij, prelati shprehu shqetësimin për rrethanat aktuale, në të cilat vërehet rritja e vazhdueshme e rasteve të intolerancës, ekstremizmit, fundamentalizmit, rreziqeve për liritë individuale, posaçërisht për lirinë fetare e atë të shprehjes, të cilave u shtohen edhe sulmet e kërcënimet e vazhdueshme të terrorizmit, me burime nga më të ndryshmet. Është fjala për sfida, që kërkojnë aksion energjik e konkret ndërmjet shteteve, theksoi imzot Gallagher, për t’i mbrojtur vërtet të drejtat e njeriut, mbarë sistemin demokratik të individëve, të vendeve të veçanta si dhe sigurinë ndërkombëtare.

Ligjet mbi blasfeminë dhe trafikun e paligjshëm të armëve shkaktojnë fundametalizmin

Më pas kryeipeshkvi, duke u ndaluar tek faktorët, në zanafilë të ekstremizmave e të fundamentalizmave fetare, kërkoi t’u garantohen të krishterëve të drejta të plota dhe dinjitet i barabartë, duke theksuar se liria fetare duhet promovuar e jo kufizuar.

Të çrrënjoset varfëria, të luftohet injoranca e të nxitet dialogu

Po atëhere, si mund të shkulen radikalizmi e fundamentalizmi? Duke ua prerë rrënjët, që i lindën, tha në vijim imzot Gallagher i cili, ndërmjet këtyre rrënjëve, theksoi padrejtësinë, pabarazinë shoqërore e varfërinë, që përbëjnë shtratin ideal, ku mund të lindin vizionet dhe praktikat fundamentaliste. E jo vetëm kaq: ka rëndësi të luftohet edhe padija, për të shmangur rrezikun e dredhimit në rrugët ekstremiste. E në këtë fushë Selia e Shenjtë është e impenjuar fuqimisht, në mënyrë të posaçme përmes nxitjes së dialogut ndërfetar, që favorizon mirëkuptimin e anasjelltë, respektin dhe bashkëpunimin ndërmjet katolikëve e jo katolikëve. Pa harruar edhe veprimtaritë e shumta që Kisha katolike i çon përpara në mbarë botën, në fushën edukative e shëndetësore, në dobi të të gjithëve, pa asnjë dallim e me respekt të plotë për larmitë e secilës palë.

Të mbrohet paqja dhe të drejat themelore të çdo njeriu

Së fundi, imzot Gallagher bëri thirrje për t’i bashkuar përpjekjet për më shumë bashkëpunim e solidaritet, në favor të popullsive të dëmtuara nga luftërat si dhe të gjithë atyre, që pësojnë çdo lloj shtypjeje nga shkaku i besojmës së tyre fetare, për të ndihmuar, kështu, në reduktimin e emergjencës humanitare, për të mbrojtur paqen e për të garantuar respektimin e dinjitetit të çdo njeriu dhe të të drejtave të tij themelore.








All the contents on this site are copyrighted ©.