2016-03-14 18:37:00

Imzot Fisichella: pothuajse 3 milionë besimtarë në 100 ditët e para të Jubileut


Gati 3 milion shtegtarë kanë ardhur në Romë që nga fillimi i Vitit Shenjt. Ky, bilanci i 100 ditëve të para të Jubileut të Mëshirës, sipas një njoftimi të  dhënë sot paradite në Romë, nga imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri dhe nga prefekti i Romës, Franco Gabrielli.

2.802.000 prani vetëm në zonën e Shën Pjetrit, që nga fillimi i Vitit Shenjt: 1 milion e gjysëm shtegtarë kanë marrë pjesë në ngarjet e mëdha jubilare. Tani kalendari parashikon ngjarje të reja: të Dielën e Larit, Pashkët, festën e Mëshirës Hyjnore… Priten 150 mijë vetë, e organizatorët e Jubileut  i këshillojnë grupet e mëdha të shtegtarëve të regjistrohen para se të arrijnë në Romë. Bilanc shumë pozitiv ky, skicuar nga imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri:

“Është vërtet emocionuese të shikosh sa njerëz janë vënë për udhë përmes Rrugës së Pajtimit, me Kryqin e Jubileut në krah, duke u ndaluar me durim para kontrolleve e duke e kaluar kohën pritjes në lutje. Tema e mëshirës, që e deshi vetë Papa Françesku, përkon me të vërtetë me kërkesat e popullit të Zotit”.

Bëmë vetëm pjesën e parë të rrugës, por na presin akoma edhe 250 ditë, shpjegon prefekti i Romës, Franco Gabrielli:

Përgjigje: - Duhet të kemi akoma vëmendje, t’i përsosim aspektet organizative. Për tani ka shkuar ashtu si prisnim, por kemi akoma një copë të mirë udhe për të bërë. Aparatet e sigurimit po e kryejnë shumë mirë punën e vet, me përkushtim të plotë. Kërcënimi nuk mungon; do të ishte tepër e ndërlikuar të pohoje të kundërtën, por përballë tij, aparatet e sigurimit  do të vijojnë ta bëjnë po kaq mirë punën e tyre, siç e bënë 100 ditët e para.

Për të dhënat përfundimtare duhet pritur nëntori. Llogaritet se deri tani janë hapur dhjetëmijë porta shenjte, në 2.089 dioqeza të planetit, por në këtë Jubile të përhapur anë e kënd  rruzullit, Roma mbetet zemra e krishterimit. E imzot Fisichella pohon:

“Këtu është Varri i Shën Pjetrit, ku njerëzit vijnë për ta dëshmuar fenë, për ta jetuar, pastaj, në mënyrë më të thellë, kur të rikthehen në bashkësitë e tyre, në vendet e tyre, në shoqatat e tyre”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.