2016-03-11 15:09:00

Ushtrimet shpirtërore: Maria na kujton se feja o është gëzim, ose nuk është


Zoti është gjithnjë pranë njeriut, me një afërsi “shtëpiake”, pranë nevojave të tij të përditshme. Kjo ishte përvoja e Marisë gjatë 30 vjetëve të jetës në Nazaret, pa “bujë” e pa “vegime”. E kujtoi atë Ermes Ronchi në meditimin e fundmë të ushtrimeve shpirtërore, predikuar Papës Françesku dhe Kuries Romake, përfunduar sot paradite në Ariccia. Reflektimi i predikatarit u përqendrua  mbi fragmentin ungjillor të Lajmërimit të Zojës.

Një ditë e zakonshme, një vend i zakonshëm, një vashë e zakonshme. Skena e një ngjarjeje “kolosale”, ajo e Engjëllit, që viziton Marinë e Nazaretit, ndodh në një rrethanë çarmatosëse. Sepse thjeshtësia është kodi i Zotit.

Zoti është në kuzhinë

Për meditimin përfundimtar të ushtrimeve shpirtërore, atë Ermes Ronchi i propopzoi Papës dhe Kuries Romake një udhëtim simbolik në fragmentin e Lajmërimit të Zojës, ngjarje që, vërejti predikatari, ndodh në një ditë të zakonshme, pa dëshmitarë, larg dritave dhe emocioneve të tempullit. Kumti i parë i hirit të Ungjillit jepet në normalitetin e një shtëpie, në një skaj, ku secili është vetvetja. E pikërisht aty Zoti duket e preket.

Premtimi i lumturisë

Marisë ia ngulim sytë, pohoi predikatari, pikërisht për të riqepur grisjen më dramatike të fesë sonë: “Zotin e religjonit” që është ndarë nga “Zoti i jetës”. Gruaja e Nazaretit, vijoi, si grua shtëpie, na bën një sfidë vigane: të kalojmë nga përshpirtëria, që bazohet mbi logjikën e së jashtëzakonshmes, në mistikën e përditshme. E në këtë të përditshme ndjenja që mbretëron, është gëzimi. Me gëzimin nisin edhe fjalët e para të Lajmërimit: “Gëzoju, o Mari”. Sepse kur afrohet Zoti sjell me vete premtimin e lumturisë.

Mendimi përfundimtar i prediktarit, ishte ai i amësisë së Zotit:

“Pa korpin e Marisë, Ungjilli e humbet korpin”, ishte fjala e fundit e këtyre ushtrimeve shpirtërore, mbajtur nga atë Ronchi. E të gjithë të krishterët jemi të thirrur për të qenë nëna të Zotit, sepse Zoti ka gjithnjë nevojë të vijë në botë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.