2016-03-11 14:22:00

Tre vjet me Françeskun, Papni e mëshirës


Tre vjet me Françeskun, tre vjet Papnie shoqëruar nga Mëshira e Zotit. Një dashuri pa masë, që Papa e dëshmon në çdo çast: nga ngjarjet në mondovizion, si fjalimi i mbajtur në OKB, tek hapja e Jubileut e deri tek ato intime, larg syve të qelqtë të telekamerave, si takimet me të burgosurit e të droguarit. Me rastin e trevjetorit të zgjedhjes së Jorge Mario Bergoglios në Katedrën e Shën Pjetrit, të diel më 13 mars, rikujtojmë  çaste, fjalime, figura të këtyre 12 muajve të fundit, të gjitha, lidhur me fillin e  artë të mëshirës.

“Emri i Zotit është mëshirë” - pohon Papa Françesku, po mëshira gjithnjë më shumë po bëhet edhe emër i Papnisë së tij. Mëshira është në moton ipeshkvnore të Bergoglios, mëshirës deshi t’i kushtojë lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot si Papë, mëshira është një nga fjalët që përsëritet më shumë në homelitë, të cilat i mban pothuajse çdo mëngjes, në Shtëpinë e Shën Martës. Sinjale, të cilat paralajmëruan ngjarjen e madhe, të pritur, të një viti më parë, Jubileun:

“Vendosa të shpall një Jubile të jashtëzakonshëm, që do të ketë në qendër mëshirën e Zotit”. Do të jetë një Vit Shenjt i Mëshirës Hyjnore. Dëshirojmë ta jetojmë në dritën e fjalëve të Zotit: ‘Jini të mëshirshëm si Ati Qiellor’(13 mars 2015, Bazilika e Shën Pjetrit).

 Po i prin kjo frazë e shkëputur nga Ungjilli i Lukës, Jubileut të jashtëzakonshëm të mëshirës, shpallur nga Papa. Mëshira e bën botën më të drejtë, na kujton Françesku në Jubileun e tretë të jashtëzakonshëm, që nga shekulli i kaluar. Për ta hapur, pastaj, Portën e parë  Shenjte duke u nisur nga periferia.

Jubile, që nis nga periferia. Porta Shenjte e Bangui

Jam i bindur, pohon Françesku, se mbarë Kisha ka shumë nevojë për mëshirë. Prej këndej, Jubileu nuk do të ketë vetëm Romën si qendër, por do të ketë shumë qendra, aq sa janë edhe bashkësitë kishtare në botë. Jubile “i përhapur”, katolik në kuptimin më të plotë të kësaj fjale: universal, pra, e jo vetëm romak. E pikërisht për ta nënvizuar këtë përmasë, Françesku nuk e hapi portën e parë shenjte në Bazilikën e Shën Pjetrit, por në Katedralen e Bangui, kryeqytet i njërit nga vendet më të varfëra të botës. Kështu periferia bëhet qendër:

“Bangui bëhet kryeqytet shpirtëror i botës. Viti Shenjt i Mëshirës nis më shpejt se kudo në këtë tokë, që vuan aq shumë nga lufta. Të gjithë kërkojmë paqe, mëshirë, pajtim, falje, dashuri” (Hapja e Portës Shenjte të Bangui, 29 nëntor 2015).

Duhet kujtuar se Jubileu, që nisi më 8 dhjetor, i paraprirë pikërisht nga etapa afrikane e 29 nëntorit, në të vërtetë ndriçon e orieneton të gjitha çastet, pas kumtimit të  13 marsit të kaluar.

Të shikohet familja e sotme me sytë e mëshirshëm të Zotit

Fjala mëshirë bëhet protagoniste në bisedat e zakonshme të besimtarëve  e e del në krye të Rrjeteve shoqërore, ku afirmohet ndërmjet temave më të rëndësishme në komunikimin dixhital. Katalizator është, natyrisht, shërbesa e Papës, që merr limfë nga mëshira, për të prodhuar fryte të begata. Një shembull konkret, lidhur me këtë, është fjalimi që mbajti Françesku në mbylljen e Sinodit kushtuar familjes:

“Përvoja e Sinodit na bëri të kuptojmë më mirë edhe se mbrojtësit e vërtetë të Doktrinës nuk janë ata, që mbrojnë letrën, por shpirtin; ata që mbrojnë idetë, por njeriun; që mbrojnë formulat, por jo dashurinë pa asnjë shpërblim të Zotit e ndjesën e tij. Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se formulat, ligjet e urdhërimet hyjnore duhen shikuar si më pak të rëndësishme, por se duhet lartuar madhështia e Zotit e se nuk bëhet fjalë për meritat tona e as për veprat tona, por vetëm për bujarinë e pakufishme të Mëshirës së Tij (cfr Rm 3, 21-30; ps. 129; Lk 11,37-54) (Fjalim mbajtur më 24 tetor 2015, në mbyllje të Sinodit).

Nga diplomacia e mëshirës, tek takimi me Kirillin

Falë Françeskut, mëshira bëhet edhe kod i padëgjuar i një diplomacie, që Papa e përdor për të zgjidhur konfliktet, për t’i hapur udhën paqes, për të bërë të takohen njerëz, që prej kohe nuk e provojnë ngrohtësinë e shtrëngimit të dorës. E mendimi të shkon menjëherë në Kubë e në SHBA, në Kolumbi e Afrikën Qendrore ku, me vizitën e tij të guximshme, Françesku mbolli farë pajtimi, që do të lidhnin fryte në ditët  pas rikthimit në Romë.

Por duhet theksuar se shenja më e jashtëzakonshme e mëshirës hyjnore, e papritur e vërtetë e Zotit në këtë trevjetor të papnisë, është takimi me Patrikun ortodoks Kirill. Takim ndërmjet vëllezërve në Krishtin, siç na  e tregon vetë Françesku, me fjalë prekëse, pak orë më pas, në avionin, që e çonte nga Kuba - në Meksikë:

“Unë e ndjeva veten si të isha para një vëllai, e edhe ai më tha të njëjtën gjë. Dy ipeshkvij, që flasin për situatën e Kishave të tyre. Kjo, së pari. E, së dyti, për situatën në botë, për luftërat, luftëra që tani  mund të krijojnë një rrezik të ri, të mos jenë më copa-copa, por t’i përfshijnë të gjithë. E folëm edhe për situatën e Ortodoksisë, për Sinodin e afërt panortodoks… Po unë po ju them, me të vërtetë, ndjeja një gëzim shpirtëror, që vinte pikërisht nga Zoti. Ai fliste lirisht, e edhe unë lirisht. Ndjehej gëzimi” (Konferenca e shtypit, 12 shkurt 2016).

Jo luftës, Françesku në mbrojtje të njeriut e të gjithësisë 

Lidhur me partiturën e mëshirës, të prekin regjistrat e ndryshëm, që përdor  Françesku: i ëmbël e i butë kur përqafon nevojtarët; i ashpër e fshikullues në denoncimin e së keqes. Mbresëlënëse, shigjetat e fjalëve që lëshon në drejtim të tregtarëve të luftës e të atyre, që e shtrydhin deri në palcë njeriun e ligshtë, për interesat e tyre:

“Është një fjalë e Zotit: ‘Të mallkuar!’. Sepse Ai ka thënë: ‘Bekuar veprimtarët e paqes!’. Ndërsa këta, që punojnë për luftën, që i bëjnë luftërat, janë të mallkuar, janë kriminelë!” (Homelia në Shën Martë, 19 nëntor 2015).

Viti i tretë i Papnisë është edhe vit i “Lëvduar qofsh”. Enciklikë që, duke u radhitur në hullinë e Doktrinës Shoqërore, flet për urgjencën e kujdesit ndaj Shtëpisë së përbashkët. Edhe një herë Françesku e hap kompasin e arsyetimit dhe, përballë interpretimeve të ngushta, që e vlerësojnë këtë dokument si thjesht “ekologjist”, vë në dukje se kujdesi për ambientin dhe mbrojtja e njerëzimit janë dy faqet e së njëjtes medalje:

“Kjo shtëpia jonë po rrënohet, gjë që na dëmton të gjithë, posaçërisht më të varfërit. Bëj thirrje, prandaj, për përgjegjësi, në bazë të detyrës që  Zoti vetë i caktoi njeriut qysh në krijim, ta punojë e ta ruajë ‘kopshtin në të cilin e vuri’. I ftoj, pra, të gjithë ta presin me zemër të hapur këtë dokument, në përkim me doktrinën e Kishës” (Audienca e përgjithshme, 17 qershor 2015).

Kritikat “papës komunist”, “nëse duhet, them “Besojmën”

Papa  kërkon të pritet me zemër të hapur ky dokument, e megjithatë, nuk i mungojnë kritikat, as nga ambientet katolike. Ka nga ata që shikojnë në shërbesën e Françeskut një përqendrim të tepruar mbi temat e varfërisë e të përjashtimit. E edhe nga ata, që arrijnë deri atje, sa ta quajnë “papa komunist”. Këtyre njerëzve Françesku u kujton se dashuria për të varfërit është në qendër të Ungjillit, nuk është aspak shpikje e komunizmit. E nuk heq dorë nga përdorimi i armës së mprehtë të ironisë:

“Doktrina ime mbi gjithë këtë, “Lëvduar qofsh”, e edhe mbi imperializmin ekonomik, është në mësimin shoqëror të Kishës. E nëse është e nevojshme që unë të them ‘Besojmën’, jam i gatshëm ta bëj”( Konferenca e shtypit në avion drejt SHBA-ve , 23 shtator 2015).

Reforma e Kuries dhe reforma e zemrës

Nga ana tjetër, Papa nuk ka frikë të pranojë - siç bën me të rinjtë në Kenia - se edhe në Vatikan ka korrupsion. Në këtë front Françesku, i mbështetur nga i ashtuquajturi “Këshilli i të Nëntëve”, domethënë, i nëntë kardinajve, vijon pa ndërprerje veprimtarinë e reformës së Kuries, për ta vënë gjithnjë më shumë e më mirë në shërbim të Kishës universale. Pas lindjes së Sekretarisë për Ekonominë, i vjen radha dikasterit për Komunikimin, ndërsa vijon puna për hartimin e një Kushtetute të re, që do të zëvendësojë Pastor Bonus. Reforma nuk ndalet, as nuk ngadalësohet, siguron Papa, pavarësisht nga shpërthimi i  çështjes, që u bë e njohur me emrin “Vatileaks 2”:

 “Dua t’ju siguroj se ky fakt i trishtuar nuk më shkëput nga puna për reformën, që po e çojmë përpara me bashkëpunëtorët e mi e me mbështetjen e ju të gjithëve” (Engjëlli i Tënzot, 8 nëntor 2015).

Me këto fjalë, shqiptuar në lutjen e Engjëllit të Tënzot më 8 nëntor 2015,  Papa komentoi vjedhjen e dokumenteve të Vatikanit muajt e kaluar dhe botimin e tyre, posaçërisht në dy libra.

Nëse Françesku e çon përpara me pasion, reformën e institucioneve të Vatikanit, është edhe një reformë tjetër, të cilën e dëshiron edhe më shumë: reformën e zemrës. Një zemre, që për ta pranuar mëshirën e Zotit, duhet të hapet e të bëjë kthesën e madhe. E hapja, siç theksohet në “Misericordiae Vultus” nis në çastin kur njeriu e pranon se është mëkatar:

“Nëse ti nuk e ndjen se je mëkatar, e ke nisur keq. Të kërkojmë hirin që zemra jonë të mos bëhet gur, por të hapet për mëshirën e Zotit e për hirin e besnikërisë, hirin e kërkimit të faljes e të rikthimit tek Zoti” (Homelia në Shën Martë, 3 mars 2016).








All the contents on this site are copyrighted ©.