2016-03-11 11:20:00

Jubileu. Veprat e mëshirës: Mikpritja ndër shqiptarë


Kujtuam, në emisionet e kaluara, veprat e mëshirës: t’i japësh të hajë të uriturit; të pijë, të eturit; të veshësh të zhveshurin, të strehosh shtegtarin. Po të studiojmë nga afër traditën shqiptare në këtë drejtim, do të vërejmë se populli shqiptar dallohet ndërmjet fiseve e kombeve kryesisht për mikpritjen e shtegtarit. E duke e mikpritur, natyrisht edhe ia shuan urinë, etjen e, në rast nevoje, ndan për gjysëm gozhupin, për t’ia mbuluar trupin e zhveshur. Edhe pse eci nëpër shekuj i uritur, i etur e i zhveshur, çka pati, e ndau gjithnjë me mikun që i trokiti në portë, në çdo orë të ditës a të natës.

Duke i përmbushur të gjitha veprat e mëshirës njëheresh. Mikpritja e shtegtarit ndër shqiptarë i ka rrënjët shumë të thella. Është një nga elementet, që flet për zanafillën indoevropiane. Duke shfletuar Manavadharmaçastra-n1, një lloj Kanuni i lashtë juridik i Indisë së Vedave, lexojmë se kryefamiljari nuk duhet t’ia mbyllë derën atij, që i troket në perëndim të diellit. Nuk ka rëndësi nëse miku arrin para apo pas darke: atij i duhet shtruar sofra e duhet rrethuar me të gjitha nderimet e mundshme, sepse është i dërguar nga vetë zotat.2

Prej këndej, ndoshta, edhe shprehja aq e përdorur ndër shqiptarë, sidomos në veri: “Shtëpia âsht e Zotit e e mikut!”.  Ashtu si indianët e lashtë, shqiptarët, të lashtë a të rinj, nuk bëjnë asnjë dallim ndërmjet të njohurit a të huajit, por i mikpresin si njërin, edhe tjetrin, ngaqë, ashtu si indianët, mendojnë se njerëzit e tokës mbarë i përkasin një familjeje të vetme (shih Hitopadeça2). Prej këndej, nuk duhet pyetur: “Ky, që po troket në portë, është yni, apo i huaji?”. Këtë mund ta mendojnë e edhe ta thonë njerëzit me shpirt e mendje të vogël, por për atë, që e ka shpirtin të madh, toka mbarë i takon një familjeje të vetme.

Kështu silleshin indianët e lashtë e shqiptarët tradicionalë në pritjen e mikut e të shtegtarit, të largët a të afërt. E shqiptari, ashtu si indiani i lashtë, pret me krahë hapur jo vetëm mikun, por edhe armikun, kur i troket në portë.  “Duhet pritur njëlloj si miku, ashtu edhe armiku, kur të troket në portë. Druri i bën hije edhe atij që e pret”.

Prej këndej, shqiptari nuk e lë të presë mikun. Sapo e dëgjon që po e thërret, hov në këmbë e ia hap portën , duke shqiptuar fjalët e mirënjohura: “Mirë se të ka prû Zoti!”, sepse, sipas një shprehjeje popullore, “miku është si hija e Zotit!”. Mjafton të lexojmë këto vargje shkëputur nga “Bagëti e Bujqësia”3  e Naim Frashërit, për ta kuptuar më mirë këtë virtyt:

Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prehet,
Sheh shtëpizënë më kamje, edhe zëmëra mal i bëhet,
Gratë të gjitha punojnë n'avlëmënt e në të tjera,
Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera:
Eshtë nj'udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
I kanë ngrirë të mjerit vesh' e goj, e këmb' e dorë;
Ngrihet i zot'i shtëpisë edhe të huajthin e merr,
E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder,
Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija,
Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia,
Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh'e mbajnë me të mirë,
I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën' e të pirë.
Kështu të huajt' e miqtë njeriu q'është i uruar
I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.

Shqiptari e shikon si mik edhe atë që, pa i hyrë në shtëpi, i kërkon në prag një thëngjill për të ndezur çibukun ose një gotë ujë, për të shuar etjen. E nëse e fyen kush, e ka për detyrë ta mbrojë.

Këto sjellje, e shumë e shumë të tjera, që pasqyrohen hollësisht edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit, të shumëdiskutuar e edhe të shumëkeqinterpretuar, dëshmojnë se shqiptari e ka ruajtur besnikërisht kujtimin e  detyrave të lashta të mikpritjes indoevropiane. Ndërmjet tyre, t’i japë ujë të eturit e zjarr shtegtarit, i cili, duke mos pasur mundësi t’i mbartë me vete këto elemente, duhej t’i kërkonte vis më vis, sepse uji, zjarri dhe mjete e tjera të domosdoshme për jetën, nuk janë, siç na e kujton Ciceroni, pronë e njerëzve të veçantë, por e natyrës dhe e zotave, që ua japin njerëzve “ad communem hominum usum”4- “për përdorim të përbashkët”.

Së fundi, për shqiptarin mik është edhe ai, që e thërret nga larg me emër njeriun, tek i cili dëshiron të strehohet. Mjafton kjo, për ta bërë të shenjtë e të paprekshëm: “Kush kërkon mbrojtje, duke e thirrur me emër njeriun, tek i cili dëshiron të strehohet, edhe nëse nuk ia ka shkelur kurrë pragun, duhet pritur si mik. E nëse e prek kush, ka prekur nderin e të zotit të shtëpisë”.

E nuk duhet harruar që në lashtësi besohej edhe se zotat, duke marrë pamje njerëzore, trokisnin jo rrallë në portat e të vdekshëmve. Homeri, tek Iliada, tregon sesi Zeusi largohej shpesh nga Olimpi, për të shkuar si mik ndërmjet njerëzve5, gjë që duhet të ketë ndikuar fuqimisht në vetëdijen e popujve të lashtë, duke ushqyer në shpirtin e tyre ndjenjat e mikpritjes gjithnjë më të përzemërt.

Kujtuam, rrënjët indoevropiane të mikpritjes shqiptare, mikpritje që, në kristianizëm, fitoi  vlera të reja, duke u bërë vepër e mëshirës së krishterë.

V.O: Kush dëshiron t’i studiojë më thellë rrënjët indoevropiane të kësaj vepre mëshire tek shqiptarët, mund të shfletojë, Manavadharmaçastra e Hitopadeça, nga letërsia e lashtë indike. Ndërsa nga letërsia shqiptare, studimin e Atë Jakob Marlekaj OFM “Aspetti di ospitalità indoeuropea presso gli albanesi”, Tipografia Poliglota Vaticana, 1961; Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe studimin e imzot Ernesto Cozzi-t6, delegat i parë apostolik në Shqipëri, “Fiset e Shqipërisë së Epërme”

1 Manavadharmaçastra, III, 105

2 Hitopadeça I, 107

3 Naim Frashëri “Bagëti e Bujqësia”

4 Cicero, De officiis, I,16,51

5 Iliade, I 423

6  “Le tribù dell’ alta Albania; appunti sulla loro organizzazione sociale e politica,  con dati statistici riordinati e publicati a cura di P. G. Valentini S.I. in Studime, pp 229 ss.








All the contents on this site are copyrighted ©.