Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa Françesku: kur mëshira bëhet diplomaci

Papa Françesku në Ciudad Juàrez - OSS_ROM

10/03/2016 00:00

Mëshira, një nga fjalët kyçe në magjisterin e Papës Françesku, mund të konsiderohet edhe një proces politik e fill përçues i politikës së jashtme të Atit të Shenjtë. Kështu mendojnë pjesëmarrësit në takimin mbi “diplomacinë e mëshirës”, mbajtur këto ditë në Romë, për të paraqitur numrin e fundit të revistës gjeopolitike “Limes”, kushtuar “Luftës III Botërore” sipas përkufizimit të Papës.

Përqafimi me Patriarkun Kirill në Kubë; lutja në kufirin ndërmjet Meksikës e SHBA-ve, në Ciudad Juàrez; gjestet e udhëtimit të fundit apostolik të Papës Françesku vijojnë rrugën e nisur më 8 korrik 2013, kur, për herë të parë në vizitë zyrtare jashtë dioqezës së Romës, Ati i Shenjtë zgjodhi ishullin e Lampeduzës. Vështrim për më të fundmit, për “mbeturinat” e shoqërisë; udhëtim ku mëshira u shndërrua në kriter për veprimtarinë politike, po aq sa shërimi i shpirtit. Drejtori i revistës së jezuitëve “Ciciltà Catollica” (Qytetërimi Katolik), atë Antonio Spadaro, autor i artikullit “Diplomacia e Françeskut”, nënvizoi:

“Elementi themelor i kuptimit të mëshirës është se kurrë, asgjë e askush, nuk duhet të konsiderohet i humbur e kjo, jo vetëm në jetën e njerëzve, por edhe në marrëdhëniet ndërmjet kombeve, ndërmjet shteteve e ndërmjet popujve. Papa Françesku ka prekur kufij, pengesa, të kuptuara si plagë: kujtojmë Murin e Betlehemit; ndarjen ndërmjet dy Koreve, që ai e konsideron plagë të hapur; e së fundi, edhe shërimin e plagës së kufirit ndërmjet SHBA-ve dhe Kubës; Ciudad Juàrez dhe udhëtimi në Meksikë. Të gjithë kufijtë janë për të vende, ku mëshira e Zotit duhet të duket në funksionin e saj terapeutik, si shërim”.

Ky lloj konceptimi është ilaç kudër retorikës së fundamentalizmave, për të cilat bota është një hap larg fundit të saj, prandaj justifikohet çdo lloj dhune me armë kundër atyre, që janë të ndryshëm prej nesh. Flet drejtori i revistës “Limes”, Lucio Caracciolo:

“Papa na fton ta vlerësojmë realitetin e botës ashtu siç është, pa e zbukuruar… jo për t’u dorëzuar, por për ta kuptuar e për t’u rebeluar ndaj kësaj ideologjie të luftës e të vdekjes, që duket sikur është formë e ndonjë nevoje historike. Po përhapet një ideologji, sipas së cilës po i vjen fundi botës, prandaj duhet të përgatitemi për betejën përfundimtare: betejë e dhunshme është ajo që, për shembull, propagandon i ashtuquajturi Shtet Islamik në revistat e tij. Kjo është ideologji e dhunës e s’ka asgjë të përbashkët me mëshirën, për të cilën flet Papa”.

“Lufta e tretë Botërore pjesë-pjesë”, që përmendi Ati i Shenjtë në kthim nga Koreja, do të jetë e pashmangshme nëse do të vijojmë t’i përballojmë krizat në mënyrë “egoiste, përçarëse dhe çnjerëzore”, siç shpjegoi kryetari i Senatit italian, Pietro Grasso:

“Roli i Papës është shumë i rëndësishëm, sepse diplomacia e mëshirës është e vetmja, që mund ta pajtojë vërtet botën. Ky është mesazhi që marrim: në një botë plot me konflikte duhet të përpiqemi të ndërtojmë – siç thotë Papa – ‘ura e jo mure’. Mëshirës së Papës, nga pikpamja laike, duhet t’i përgjigjemi me solidaritet”.

10/03/2016 00:00