2016-03-07 15:48:00

Ipeshkvijtë indianë dhe motrat e Nënë Terezës: nuk largohemi nga Jemeni


“Shqetësim, neveri dhe dhimbje për sulmin burracak”: kështu shprehen ipeshkvijtë indianë, të mbledhur në asamblenë e tyre të përgjithshme në Bangalore, duke iu referuar masakrës së 4 marsit në Aden të Jemenit, ku gjetën vdekjen 4 motra të Nënë Terezës e 12 laikë, që shërbenin në shtëpinë e pleqve, mbajtur nga murgeshat, misionare të Dashurisë. Njëra prej tyre ishte motra indiane Anselma e dioqezës së Gumlës, në shtetin indian të Jharkhand-it.

Vijon shërbimi për të varfërit dhe të sëmurët

Rreth 180 ipeshkvijtë e pranishëm në asamblenë e përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Indiane u mblodhën në një lutje të veçantë për viktimat, duke i shprehur ngushëllimet kongregatës së themeluar nga Nënë Tereza. “Këto sulme brutale kundër misionarëve të krishterë nga ana e keqbërësve – shkruhet në mesazh – nuk e shkurajojnë impenjimin tonë në shërbim të të varfërve dhe të sëmurëve”. Ipeshkvijtë shprehën gjithashtu, shqetësimin e tyre për meshtarin salezian Tom Uzhunnalil, marrë peng nga terroristët, siç mendohet. Ata uruan të gjendet sa më shpejt.

Katër murgeshat e vrara, kujtohen në Shtëpinë nënë në Kalkutë

Në një notë, për të cilën njofton agjencia katolike Fides, Misionaret e Dashurisë lajmërojnë se pas masakrës së Jemenit, nuk do ta braktisin vendin, por do të “vazhdojnë t’u shërbejnë të varfërve dhe nevojtarëve”. “Nënë Tereza ka shkuar gjithnjë në skajet më të largëta të botës, pavarësisht nga gjendja lokale”, kujtojnë ato. Në Kalkutë, në shtëpinë nënë, murgeshat kremtuan një meshë për shpirtin e simotrave të vrara.








All the contents on this site are copyrighted ©.