2016-03-04 14:02:00

Jemen: vriten nga terroristët 4 motra të Nënë Terezës


Katër motra të Nënë Terezës janë masakruar sot paradite nga një grup terroristësh, që sulmuan kuvendin e tyre në qytetin jemenit të Adenit. Lajmin e konfirmon për agjencinë katolike Fides, vikariati apostolik i Arabisë Jugore. Përveç murgeshave, mbetën të vrarë edhe së paku dy bashkëpunëtorë etiopë të bashkësisë, ndërsa, fatmirësisht, shpëtoi eprorja e kuvendit.

Nuk ka lajme për një meshtar salezian indian

         Janë gjallë edhe të gjithë të moshuarit e invalidët, për të cilët kujdeseshin murgeshat, ndërsa, tani për tani, nuk ka lajme për meshtarin salezian indian, Tom Uzhunnalil, që jetonte në kuvendin e motrave të Nënë Terezës, pasi kisha e Familjes Shenjte, ku shërbente më parë, u plaçkit dhe u dogj nga njerëz të armatosur, shtatorin e kaluar.

Tri murgesha ishin afrikane e një, indiane

        Dy nga murgeshat e vrara ishin ruandeze, një tjetër, indiane dhe e katërta vinte nga Kenia. Eprorja e kuvendit i dha gjithë informacionin e mundshëm policisë, e cila mban trupat e murgeshave të shkreta e të viktimave të tjera.

Dyshohet për grupe terroriste të rrjetit të Al Kaedës

         Deri tani asnjë grup terrorist nuk e ka marrë përsipër sulmin, por dihet se në qytetin portual jemenit, rimarrë në dorë vetëm pak muaj më parë nga forcat besnike ndaj presidentit, në luftë me rebelët huthi, janë përqendruar grupe të lidhura me rrjetin e Al Kaedës.








All the contents on this site are copyrighted ©.