2016-02-29 16:40:00

Papa, karabinierëve: shërbimi juaj, i domosdoshëm në Shën Pjetër


Mirënjohje për një “shërbim impenjativ e të pazëvendësueshëm”: këtë u shprehu Papa karabinierëve të Kompanisë Roma-Shën Pjetri, të cilët bashkëpunojnë me Selinë e Shenjtë për të siguruar zhvillimin e qetë të ngjarjeve e të kremtimeve në sheshin para Bazilikës vatikanase. Ati i Shenjtë u takua me ta sot paradite në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik.

Faleminderit për ndihmën që u jepni shtegtarëve

         “Prania juaj në territor – nënvizoi Papa para 150 karabinierëve, të shoqëruar nga Komandanti i përgjithshëm i Armës – bëhet ndërmjetësuese e solidaritetit konkret të krejt bashkësisë”, sidomos ndaj njerëzve nevojtarë, që gjejnë ndihmë në vështirësi:

         “Ju falenderoj shumë për punën tuaj në shërbim të shtegtarëve dhe turistëve. Kemi të bëjmë me një veprimtari, që kërkon profesionalitet e ndjenjë përgjegjësie, si edhe kujdes ndaj njerëzve – shumë prej të cilëve janë të moshuar – kërkon durim të vazhdueshëm e gatishmëri ndaj të gjithëve. Janë cilësi jo të lehta, për të cilat është e rëndësishme të llogarisim edhe ndihmën e Zotit”.

“Gjithçka bëtë për një të vetëm prej këtyre vëllezërve më të vegjël, ma keni bërë mua”

         Viti Shenjt i Mëshirës, i cili u jep mundësinë të gjithëve ta risojnë zemrën, duke i nxitur drejt purifikimit të brendshëm, duhet të jetë edhe për karabinierët, uroi Papa Françesku, rast i volitshëm për të shikuar brenda vetes e brenda bashkësisë e për të gjetur aty veprat e mëshirës, duke kujtuar mësimin ungjillor: “Gjithçka bëtë për një të vetëm prej këtyre vëllezërve më të vegjël, ma keni bërë mua”:

         “Ky mësim i Jezusit ju udhëheqtë edhe juve, përgjegjës për rendin publik, e ju ndihmoftë që në çdo rrethanë të nxisni solidaritetin, sidomos për më të brishtët e më të pambrojturit; të jeni mbrojtës të së drejtës për jetën, përmes impenjimit për sigurinë dhe për pacënueshmërinë e njerëzve”.

         Ta keni gjithnjë parasysh, përfundoi Papa, se çdo njeri duhet nga Zoti, është krijesë e tij dhe meriton mirëkuptim e respekt.








All the contents on this site are copyrighted ©.