2016-02-29 16:20:00

Atë Lombardi përshëndet Radio Vatikanin: përpara me besim në reformën e mediave


Mision, kthesë, bashkim! Ishin këto, tri pikat e homelisë që mbajti atë Federico Lombardi në Kishën e Shën Marisë në Traspontinë, me rastin e përfundimit të shërbimit si drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit. Në një Kishë përplot me njerëz, drejtori ynë i përgjithshëm e nxiti bashkësinë e emitentes papnore ta shikojë me shpresë e besim  reformën e mediave vatikanase, për një shërbim të përtërirë ndaj Papës e Kishës. Ndërmjet bashkëkremtuesve, edhe imzot Dario Edoardo Viganò, prefekt i Sekretarisë për Komunikimin, si dhe imzot Lucio Adrian Ruiz, sekretar i të njëjtit dikaster.

Pas Meshës, e gjithë familja e Radios u mblodh në Sallën Markoni për një çast përshëndetjeje me atë Lombardin dhe Alberto Gasparrin, drejtor administrativ i Radio Vatikanit. Ndërmjet shumë falënderimesh, edhe falënderimi i Sekretarisë së Shtetit, përmes përshëndetjes së zëvendësit, imzot Angelo Becciu, mbajtur gjatë kremtimit.  

Nga kremtimi prekës, që jetoi sot familja e Radio Vatikanit, po veçojmë Lutjen e Prijësit të Skautëve. E lexoi drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federico Lombardi, për nder të të cilit organizohej kryesisht festa, sot, në përfundim të shërbimit të tij të jashtëzakonshëm pranë Radio Vatikanit. Lutje që, siç na e shpjegoi ai vetë, e mban në xhep prej vitesh e që “do t’i bënte mirë shumëkujt” ta mbante me vete, sipas shprehjes së Papës Françesku. E ta mbante deri në muzgun e ditëve mbi tokë, siç fton vetë lutja:

“Premto, o Zot, që unë të të njoh, e njohja jote të më mbushë me dashuri për Ty, e dashuria të më nxisë të të shërbej çdo ditë e më bujarisht!

Ndihmomë të të shikoj, të të dua e të të shërbej në të gjithë vëllezërit e mi, posaçërisht, në ata, që ti vetë m’i besove.

I lëshoj në duart Tua, o Zot, si gjënë më të shtrenjtë, sepse ti vetë m’i dhe, e tek Ti duhet të kthehen.

Me hirin tënd, o Zot, bëj të jem për ta shembull, e kurrë pengesë: që në mua, ata të të shikojnë Ty, e unë, ndër ta të të kërkoj vetëm Ty: kështu dashuria jonë do të jetë e përkryer.

E kur të vijë muzgu i ditës sime tokësore, detyra ime në krye të tyre, të jetë shkas për lumninë, jo për dënimin tim!








All the contents on this site are copyrighted ©.