2016-02-27 06:00:00

Tagle: ta kuptojmë kulturën e fenë e tjetrit, duke e jetuar


Jubileu, dialogu ndërfetar, impenjimi për të varfërit dhe për ambientin. Janë këto temat, që kryetari i Caritas Internationalis, kardinali Luis Antonio Tagle trajtoi në Universitetin Papnor Gregorian në Romë, gjatë paraqitjes së librit “Feja dhe politika”, fryt i shkollës “Sinderesi”.

 Ungjillëzimi në Azi e jo vetëm në këtë kontinent, duhet të dialogojë me kulturat e me fetë, nënvizoi kardinali Tagle, duke folur me të rinjtë e shkollës “Sinderesi”, fjalë greke që ka të bëjë me shoshitjen, me dallimin e së mirës nga e keqja. Kardinali filipinas i ftoi studentët të eksperimentojnë ç’ndodh jo vetëm brenda bashkësisë së tyre të krishterë, por edhe në vende e në bashkësi të tjera, ku ata mund të jenë pakicë:

Bëjeni konkrete fenë dhe kulturën e tjetrit, duke lidhur miqësi; mos i studioni kulturat vetëm nga librat, në mënyrë abstrakte. Kulturat, fetë, mishërohen në njerëz, prandaj duhet të arrijmë t’i njohim, të flasim me ta, të grindemi edhe, të derdhim lot me ta, të qeshim së bashku. Vetëm atëherë do të jemi në gjendje të hyjmë në atë botë e në atë kulturë”.

 Është e rëndësishme vijoi kardinali Tagle, inteligjenca kulturore. Duhet ta pyesim veten si ndikon kultura në mënyrën e të menduarit e, duke u nisur nga kjo, të përpiqemi ta kuptojmë kulturën dhe fenë e tjetrit:

Të dyja palët përpiqemi të gjejmë ku bashkohemi e ku dallojmë nga njëri-tjetri. Por dallimi nuk është armik: është ndryshim me respekt për tjetrin e me aftësinë për të mësuar prej tij. Këshilla ime është që të rinjtë të fillojnë të zhvillojnë inteligjencën kulturore”.

Më pas, kardinali Tagle preku temën e Jubileut. Mëshira, nënvizoi ai, është koncept, që shkon përtej kufijve të Kishës Katolike, siç kërkon Papa Françesku. Por kjo duhet bërë në nivele të ndryshme. Kisha duhet ta dëshmojë mëshirën jo vetëm breda kufijve të bashkësisë së krishterë, por edhe jashtë saj:

Kjo është shenjë mëshire: të kujdesesh për vëllain, të kujdesesh për motrën, për të afërmin, sidomos për të vuajturit e për të braktisurit. Nëse shohim gjithë botën e jo vetëm Azinë, vërejmë se aty ku ka padrejtësi, mungon mëshira. Viktimat e padrejtësisë nuk kanë mëshirë ose janë viktima të veprimeve të pamëshirshme. Prandaj, gjatë Vitit të Mëshirës, ta hedhim vështrimin mbi të gjithë, mbi viktimat e ta shtrijmë mëshirën tonë edhe mbi ta, sepse në ta shohim një vëlla, një fqinjë, një motër”.








All the contents on this site are copyrighted ©.