2016-02-24 17:24:00

Shevchuk: me ortodoksët dëshirojmë të ecim në udhën e bashkimit


“Dëshirojmë të ecim së bashku me ortodoksët, e jo vetëm për të siguruar paqen, por sidomos, sepse dëshirojmë bashkimin e Kishave”. Kështu u shpreh kryeipeshkvi i madh i Kievit, Sviatoslav Shevchuk, kreu i Sinodit të Kishës greko-katolike të Ukrainës, gjatë një takimi me gazetarët, në Romë. Në një dialog të gjatë e të sinqertë, gjatë të cilit iu përgjigj pyetjeve të ndryshme dhe njoftoi se së shpejti do të pritet në audiencë nga Françesku, prelati u rikthye tek takimi dhe deklarata e përbashkët e Papës dhe e Patrikut Kirill në Kubë, duke shpjeguar ngurrimet e polemikat që lindën,  por duke nënvizuar edhe se bëhet fjalë për një ngjarje pozitive, një piknisje, jo pikarritje:

“Më në fund! Është kjo shprehja, që përsërita, duke parë përqafimin e Papës me Patrikun!”.

E hapi me këto fjalë, kryeipeshkvi i madh i Ukrainës, Fortlumturia e Tij Shevchuk, bisedën me gazetarët, duke u rikthyer me mendje tek ajo ditë:

“Mendoj se ai përqafim është vërtet gjë e shenjtë. Këto lloj takimesh bëhen gurë kilometrikë në udhën ekumenike të Kishës”.

Shpirti Shenjt, shtoi, hapi horizonte të panjohura, duke na bërë të dalim nga kufizimet njerëzore. Ngjarje pozitive, pra, edhe pse, vërejti, në një tekst kaq të gjatë, është gjithnjë e vështirë të sqarohesh plotësisht. Prelati nuk i fshehu shqetësimet e as dhimbjen,  që ndjenë ukrainasit. Gjë e mirë, nënvizoi, pohimi i së drejtës për të ekzistuar, që i njihet bashkësive kishtare, e hap përpara në tekst, edhe e drejta për t’i asistuar besimtarët tanë, kudo që janë. Gjë që deri tani nuk na lejohej, por, përsëriti, nuk duhet t’i kërkojmë kujt të drejtën për të ekzistuar, këtë mund ta vendosë veç Zoti! E posaçërisht e dëmton kuptimin e së vërtetës, sqarimi i mangët rreth çështjes së uniatizmit dhe përdorimi i përgjithshëm i termit “bashkësi kishtare”, pa kujtuar saktësisht Kishën greko-katolike të Ukrainës:

“Sepse në terminologjinë e teologjisë ekumenike moderne, ky term përdoret për bashkësitë e krishtera, që nuk e kanë ruajtur plotësisht vazhdimësinë apostolike. Ndërsa ne jemi pjesë përbërëse e bashkësisë katolike”.

Prelati nënvizoi se edhe  mënyra e konceptimit  dhe e paraqitjes së luftës në Ukrainë në Deklaratën e përbashkët,  ngjalli polemika. Tani nuk flitet edhe aq shumë për këtë, por gjithsesi ekziston, e është dramë për 45 milionë njerëz. Njerëz, që vdesin çdo ditë, që çdo ditë plagosen, çdo ditë në trojet tona shkelin ushtarë rusë e armë të rënda. Nuk është konflikt civil, shtoi prelati, por agresion i huaj, e kjo nuk del aspak në Deklaratë. Kështu imzot Shevchuk, që shton:

“Por Ati i Shenjtë, më pas, e sqaroi gjithçka, mbasi pohoi se është takuar me dy presidentët: e kishte fjalën për presidentin Putin e presidentin ukrainas, Poroshenko. E kjo është vërtet e bukur, inkurajuese, sepse Papa tha pikërisht kështu: “Fola me të gjithë e u thashë: Epo jepini fund! Bëni paqe!’”.

Atyre, që vërejtën se populli ukrainas mbeti krejt keq nga Deklarata, kryeipeshkvi, siç ka pohuar përmbledhtas edhe Papa, shpjegoi:

“Unë i kuptoj ndjenjat e njerëzve të mi, prandaj u bëra zëdhënës i tyre, në mënyrë që të mos e qajmë hallin tonë vetëm ndërmjet nesh. Ati i Shenjtë duhet t’i njohë këto ndjenja; madje ai vetë ka thënë se i respekton ndjenjat e popullit ukrainas e se i vjen keq, që po vuan: vuan nga lufta, e ndoshta është pikërisht lufta, që e pengon ta kuptojë këtë gjest profetik, por ne, barinjtë, shtoi, kemi mundësi ta kuptojmë e t’i bëjmë edhe të tjerët të kuptojnë. Nëse hapat profetike, vijon, që bëri Papa, janë vepër e Shpirtit Shenjt, do t’i sjellin frytet e veta”.

Nga biseda del se pyetja, që duhet bërë tani, pas kësaj që ngjau, është: cilat janë hapat që duhen bërë në udhën e unitetit të dëshiruar nga Zoti në “Ut unum sint?”. Themelor është dialogu, i bërë me tone të shtruara, të çliruara nga kushtëzimet gjeopolitike e plot vëmendje përballë rrezikut të manipulimit të fesë:

“Të krishterët do të mund ta fillojnë dialogun, ta dëgjojnë njëri-tjetrin, ta falin njëri-tjetrin, të bëjnë paqen, të ecin bashkë drejt unitetit të plotë e të dukshëm, vetëm atëhere kur të çlirohen nga gjeopolitika, nga nënshtrimi ndaj  pushteteve të kohës, kur të jenë të lirë nga çmenduria e njerëzve, që e kanë në dorë pushtetin e kësaj bote”.

Ajo që na duhet është bashkimi e ecja përpara, përsëriti kryeipeshkvi i madh e Kievit; në Ukrainë niveli i bashkëpunimit është shumë më i përparuar, nga sa thuhet. Gjithsesi, mund të fillohet nga puna, në kuadrin e Këshillit Pan-ukrainas të Kishave, por duhet të kemi gjithnjë parasysh cila është pasuria e takimit e të mos trembemi kurrë prej tij. 








All the contents on this site are copyrighted ©.