2016-02-22 11:44:00

Papa Françesku: kuria romake është komunitet shërbimi


Kuria romake dhe institucionet vatikanase janë një “komunitet shërbimi”: kështu pohoi sot, Papa Bergoglio, gjatë kremtimit të Jubileut të Vitit të Mëshirës, për të gjithë ata që shërbejnë e punojnë nëpër institucione të ndryshme të Vatikanit. “Festa e sotme liturgjike e Katedrës së shën Pjetrit na ka mbledhur për të kremtuar Jubileun e Mëshirës si komunitet shërbimi në Kurien Romake, Guvernatorat e në Institucione të lidhura me Selinë e Shenjtë”, tha Papa Françesku në homelinë e meshës, kremtuar paradite në Bazilikën e Vatikanit. “Kemi përshkuar Portën e Shenjtë – theksoi  Papa – e kemi ardhur te varri i Pjetrit Apostull për të dëshmuar fenë tonë”.

“Në këtë moment, çdonjërit prej nesh Zoti Jezus i përsërit pyetjen e vet: ‘Ju, ç’thoni: kush jam unë?’ (Mt 16,15). Një pyetje e qartë dhe e drejtpërdrejtë, përballë së cilës nuk është e mundur të ikësh apo të qëndrosh neutral, as ta shtysh përgjigjen apo të delegosh dikë tjetër. E në të nuk ka asgjë hetuese, asgjë zhbiruese, madje është plot dashuri! Dashuria e Mësuesit tonë të vetëm, i cili sot na thërret ta ripërtërijmë besimin (fenë) në Të, duke e njohur si Birin e Hyjit dhe Zotërinë e jetës sonë. E i pari që është i thirrur për ta ripërtërirë fenë është Pasardhësi i Pjetrit, që bart mbi vete përgjegjësinë për t’i përforcuar vëllezërit në fe”.

Jubileu i Kuries romake, në të cilin morën pjesë punonjësit laikë dhe familjarët e tyre, filloi sot në ora 8.30 në sallën e Palit VI, në Vatikan, me meditimet e jezuitit atë Marko Ivan Rupnik, drejtor i Qendrës Aletti.








All the contents on this site are copyrighted ©.