2016-02-22 16:51:00

Papa, Çmimi Karli i Madh dhe Evropa


Nësa avioni papnor fluturonte mbi qiellin e Evropës, për të arritur në Vatikan, gazetarët vijonin t’i drejtonin Papës pyetje, që rroknin një mori problemesh kritike, lidhur me jetën e Meksikës, të Kishës e dhe të botës së sotme. Ndërmjet tyre, pyetja për Çmimin Karli i Madh dhe për Evropën. Së cilës Papa iu përgjigj, duke dëshmuar sa dëshirë ka ta shikojë Evropën si nënë, në të kërthndeztit e saj, e jo si gjyshe.

Evropën: me sipërfaqe 10.300.734 kilometra katrore, me 50 shtete: 43 në zonën gjeografike evropiane, 3 si në zonën gjeografike aziatike, ashtu edhe në atë evropiane (Rusia, Turqia, Kazakistani) e 3 të tjerë, gjeografikisht ndërmjet Azisë e Evropës (Gjeorgjia, Azerbaixhani, Armenia); me 734.183.926 banorë, që quhen evropianë, me dendësi 70,88 banorë për km2;

Evropën, që flet  më se 38 gjuhë, lista e të cilave nis me gjuhën e njërit nga popujt më të vegjël: “Albanese”;

Evropën, historia mitike e së cilës nis me figurën e një vashëze me emrin Europë;

që në epokën greke e romake ishte term i papërcaktuar, i cili të kujtonte toka në veri të Mesdheut, me kufij pak të njohur veriorë;

Evropën, që latinët e kujtonin rrallë me emër;

Kontinentin, emrin e të cilit e përdori për herë të parë, në fund të shekullit VI, ungjillëzuesi i madh, abati irlandez, shën Kolombiani;

Evropën, që bëhej për herë të parë realitet politik me Perandorinë e krishterë të Karlit të Madh;

Evropën, me histori të gjatë, me ngjarje tejet të pasura kishtare, ekonomike, politike e kulturore;

 Evropën, në trojet e së cilës, në shekujt e parë pas Krishtit u përhap krishterimi e ku, në shekujt V-VII lindën, ndërmjet tjerash, bashkësitë murgare kolombaiane e benediktine, që e shpëtuan kulturën e krijuar deri në atë kohë, duke krijuar, mbi bazën e lashtësisë greke e latine, një kulturë të re;

Evropën e Rilindjes, që i hapi udhën zbulimeve të mëdha gjeografike e zhvillimit shkencor;

Evropën e  betejave progresiste e të demokracisë;

Evropën e teknologjisë …Evropën e bashkuar, që Françesku dëshiron shumë të rithemelohet!

Këtë histori të Evropës kujtoi Papa, në sa avioni fluturonte mbi qiejt e Kontinentit, bashkimi i vërtetë e i plotë i të cilit na intereson të gjithëve. E gazetarët i drejtonin pyetjen pikërisht për një çmim, që të kujtonte themelimin e Kontinentit: Atë, që mban emrin e Karlit të Madh.

Ja edhe edhe përgjigjja e Papës:

“Së pari po përgjigjem për Çmimin e Karlit të Madh,  pohoi, pas pyetjes që i bëri gazetari Ludwig Ring-Eifel, i KNA.

E kam pasë zakon të mos pranoj nderime as doktorata, gjithnjë. E jo për pëvujtëri, por sepse nuk më pëlqejnë këto gjëra. Por në këtë rast, nuk po them ‘u detyrova’ por ‘më bindi’, bëri shaka Papa,  kokëfortësia shenjte dhe teologjike e kardinalit Kasper, që u zgjodh nga Aachen për të ma mbushur mendjen, që të pranoja. E unë thashë: ‘Mirë, pra, por në Vatikan’ E thashë këtë. Së pari, e ofroj për Evropën: që të jetë një bashkëdekorim, një çmim që Evropa të bëjë atë, të cilën unë e dëshiroja në Strasburg: që Evropa të mos jetë “gjyshja Evropë”, por “nëna Evropë”. E së dyti, një ditë më parë, duke lexuar lajmet për këtë e atë krizë - ju kujtoj se unë lexoj pak, se shfletoj vetëm një gazetë - e nuk po ia përmend emrin, për të mos ngjallur zili, ndonëse dihet…E shfletoj nja pesëmbëdhjetë minuta e pastaj informohem nga Sekretaria e Shtetit… Lexova, pra, një shprehje, që më pëlqeu – nuk e di kush do ta miratojë e kush jo – “Rithemelimi i Bashkimit Evropian”. E kjo shprehje më bëri të  kujtoj menjëherë Etërit themelues, eh? Po sot, ku është një Schuman, një Adenauer? Ku janë ata burra të mëdhenj, që në periudhën e pas luftës e themeluan Bashkimin Evropian? … E më pëlqeu ideja e rithemelimit: ah, sikur të mund të bëhej! Sepse Evropa nuk është i vetmi kontinent në botë, por ka një forcë, një kulturë, një histori, e cila nuk mund të shkapërderdhet e duhet të bëjmë gjithçka mund të bëhet që Bashkimi Evropian të ketë forcë e edhe frymëzim për të ecur përpara”.

Kujtonte, kështu, Papa, gjithë ato vlera, të cilat i rreshtuam tepër shkurtimisht më sipër e që nuk duhet të humbasin. Cili është mendimi juaj?








All the contents on this site are copyrighted ©.