2016-02-22 16:41:00

Atë Lombardi komenton dy nga temat e prekura nga Papa në bisedë me gazetarët


Gazetat e mbarë botës i kushtuan vëmendje të dorës së parë konferencës së shtypit të Papës në avionin, që e sillte nga Meksika, në Romë. Ndërmjet temave, që tërhoqën më shumë vëmendjen e mediave, fjalët e thëna nga Trump dhe çështja e emigracionit, qëndrimi i greko-katolikëve pas takimit të Françeskut me Kirillin, virusi Zika, me mundësinë e abortit dhe të përdorimit të kontraceptivëve si dhe debati në Itali për martesat civile. 

Atë Federico Lombardi, drejtor i emitentes sonë, që e shoqëroi Françeskun gjatë gjithë shtegtimit në Meksikë, i komenton temat, prekur nga Papa gjatë konferencës së shtypit me gazetarët në fluturimin e kthimit në Romë, në mikrofonin e Radio Vatikanit. Ne po ndalohemi tek dy të parat

.

Pyetje: - Papa nënvizoi se kush mendon të ndërtojë mure e jo ura, nuk është i krishterë. Shumë folën për shkishërimin, në se mund të shprehemi kështu, të kandidatit republikan Donald Trump, që vijon garën për në Shtëpinë e Bardhë….

Përgjigje: - Papa tha diçka, që e dimë mirë, po të ndjekim shërbesën e tij papnore e edhe pohimet e tij se nuk duhen ndërtuar mure, por ura. Këtë e thotë gjithnjë, vazhdimisht, e ka thënë edhe lidhur me çështjet e emigracionit në Evropë, shumë e shumë herë. Prej këndej, nuk është fare çështje e veçantë, e lidhur vetëm me këtë rast. Është sjellje e përgjithshme, në përkim të plotë me mësimet e Ungjillit kushtuar mikpritjes dhe solidaritetit. Natyrisht që pastaj kjo u theksua shumë jo sepse Papa deshi që ky të ishte sulm personal, në asnjë mënyrë, e aq më pak, udhëzim për dhënien e votës. Papa e ka thënë qartë se nuk hyn në çështjen e votës në fushatën elektorale të SHBA. Kujtoi edhe - gjë që natyrisht nuk u  ridiskutua shumë - se po e pohonte këtë, në rast se do të ishte e vërtetë dhe e saktë ajo që i patën thënë, duke shprehur kështu, edhe dyshimin që kandidati republikan të mund ta ketë bërë vërtet  këtë pohim. Është e qartë për të gjithë se e tërë kjo papni përshkohet nga tema e mikpritjes, e ndërtimit të urave, jo mureve. Prandaj duhet shpjeguar e duhet kuptuar në këtë mënyrë.

Pyetje: - Papës iu kërkua edhe një koment për reagimin e greko-katolikëve në Ukrainë, pas deklaratës së përbashkët nënshkruar nga Françesku e nga Patriku Kirill. Cilat janë fjalët, që duhen nënvizuar në  përgjigjen e Papës?

Përgjigje: - Kishte gjëra shumë interesante në këtë përgjigje. Mbi të gjitha, Papa vuri në dukje  marrëdhëniet e vjetra e shumë të mira personale me kryeipeshkvin e madh Shevchuk. E kjo është mjaft interesante, natyrisht. Pastaj vuri në dukje edhe njoftimet, që i qenë dhënë për anën pozitive të intervistës së kryeipeshkvit të madh. Ajo që ka më shumë rëndësi në këtë ngjarje, është vetë takimi, e kryeipeshkvi e kupton këtë si s’ka më mirë, ashtu si e kuptojmë të gjithë. E reja e madhe është se u hap një portë për marrëdhënie të drejtpërdrejta ndërmjet Papës e Patrikut, që, natyrisht, është ende një fillim; u krijua mundësia e një udhe, që pastaj mund të vijojë, me pasoja shumë pozitive. Çështja e dokumentit dhe e pikave, që kanë të bëjnë, në të, me Ukrainën, është pastaj, një përmasë pakëz e diskutueshme, nëse dëshirojmë ta bëjmë këtë. Siç vuri në dukje Papa, mund të kuptohet se njerëz shumë të lidhur me Deklaratën, me vuajtje të mëdha, kanë reagimet e tyre ose perspektivat personale a të përbashkëta, prej këndej, u duket e vështirë ta pranojnë çka është shkruar për Ukrainën në dokument. Njëkohësisht duhet të jemi objektivë e të shikojmë se dokumenti flet për shpresa paqeje, përgjegjësie lidhur me veprimtarinë në favor të paqes.  E Papa, në përgjigjen e tij, shtoi se ka ngulmuar gjithnjë që marrëveshjet e Minskut të merren seriozisht e të bëhen përpjekje për t’i realizuar faktikisht. Pastaj unë do të vëreja se, edhe në deklaratën e përbashkët, ka pika me shumë rëndësi përsa u përket Kishave greko-katolike, siç është pohimi tejet i qartë i së drejtës së tyre për ekzistencë,  gjë që nuk ishte e sigurt. Pastaj, është edhe fakti se Kishat greko-katolike duhen vlerësuar, duhen respektuar plotësisht në ekzistencën e tyre e në jetën e tyre, edhe nga pala ortodokse e Patriarkanës ruse. E kjo është sigurisht një pikë shumë kuptimplote. Papa, më duket, e dëshmoi qartë se i kupton mirë vështirësitë e pranimit nga ana e atij, që jeton në situata dramatike, por edhe ndihmon – siç e thotë ai vetë - për t’i shikuar gjërat në tërësinë e tyre e, në tërësi, vlerësimi pozitiv që i duhet bërë takimit, është absolutisht kryesor e edhe shumë i pranishëm në intervistën e kryeipeshkvit të madh.








All the contents on this site are copyrighted ©.