2016-02-16 13:17:00

Papa në Túxtla Gutiérrez: familja vihet në diskutim, por nuk është model i vjetruar


Në vijim të shtegtimit të tij në Meksikë, Papa Françesku foli përsëri për familjen, duke theksuar se sot vihet shumë në diskutim, por nuk mund të konsiderohet në asnjë mënyrë si model i vjetruar, të cilit i ka kaluar koha.  Këto fjalë i ndoqën me entuziazëm të madh, më se 50 mijë vetë, të  mbledhur rreth Françeskut dje pasdite, në stadiumin e Tuxtla Gutiérrez të Chiapas.  

Familjet e mbushën përplot stadiumin, folën për jetën e tyre, shpesh të vështirë e pritën inkurajimin e Françeskut. Ishte një dialog i vërtetë, me fjalë e me gjeste të thjeshta, që shprehën dashurinë e thellë të familjeve për Kishën e për Papën. I pari foli një djalosh i ri me emrin Manuel, i ulur në karrocinë, sepse nuk mund të ecë më për shkak të distrofisë muskolare. Foli për dhembjen e tij, e pastaj, për guximin që mori. Tregoi si nisi t’u flasë moshatarëve për Ungjillin, duke gjetur, në këtë dialog, lumturinë, në dukje, të humbur përgjithmonë. Më pas, një çift, që kremtonte 50 vjetorin e martesës e që dëshmoi aty, para turmës, e sidomos para Papës, se besnikëria në gjirin e familjes është plotësisht e mundur. Një tjetër, e divorcuar dhe e rimartuar, tregoi sesi u ritakua me Kishën, duke u vënë në shërbim të të varfërve; e, më në fund, një nënë e pamartuar, e tunduar gjatë, nësa i duhej të zgjidhte ndërmjet jetës e vdekjes, e zgjodhi jetën. Papa theksoi temën e guximit, që na jep Zoti e që duhet t’ia japim njëri-tjetrit:

“Todos los que estamos acá hemos experiencia de eso…..”

Të gjithë ne, që jemi këtu, e kemi provuar se, në çaste e forma të ndryshme Zoti Atë i jep guxim jetës sonë. Mund të pyesim pse. Sepse nuk mund të bëjë ndryshe. Është i aftë të na japë guxim, ngaqë emri i Tij është dashuri, emri i Tij është dhurim falas, emri i Tij është përkushtim, emri i Tij është mëshirë”.

Pastaj Françesku u ndal fort tek gjendja e familjes në shoqërinë moderne e cila, gjithnjë në kërkim të rehatisë, përpiqet ta vërë në diskutim vlerën e saj, duke i krijuar një mori vështirësish:

“Sot e shikojmë dhe e jetojmë në fronte të ndryshme sesi familja vijon të dobësohet e të vihet në diskutim. E madje, të besohet se është model i vjetruar, se është e paaftë për të gjetur vend në gjirin e shoqërive tona të cilat, me pretekstin se nuk e pranon më jeta moderne, vihen gjithnjë më shumë në mbrojtje të sistemit, bazuar mbi modelin e izolimit të njeriut”.

Papa vërejti, më pas, se të jetosh në familje nuk është gjithnjë e lehtë. Shpesh bashkëjetesa bëhet e dhimbshme, e lodhshme, problematike por, shtoi, çka e kam thënë shpesh për Kishën, mendoj se mund të thuhet edhe për familjen:

“Prefiero una familia herida, que intenda todos los dias conjugar el amor….

Më pëlqen shumë më tepër një familje e plagosur, që kërkon çdo ditë ta forcojë dashurinë, sesa një shoqëri e sëmurë, që vetëmbyllet në rehati, sepse ka frikë nga dashuria. Më pëlqen më shumë familja, që e rifillon ditë për ditë jetën, sesa një shoqëri narcizistike, e pushtuar nga ankthi i luksit e i komoditetit; më pëlqen shumë më tepër familja me fytyrë të lodhur e të këputur nga flijimet e përorshme, sesa fytyrat e kallajisura, që nuk dinë ç’është dashuria, as dhembshuria”.

Papa foli edhe për pasigurinë, që kërcënon jo vetëm stomakun (e kjo do të mjaftonte), por edhe shpirtin e që mund ta çkurajojë njeriun, ta ligështojë e ta tundojë për të zgjedhur rrugë të tjera, nga ato që nuk do t’i dëshironte, për t’ i zgjidhur problemet, por që në fund të fundit nuk zgjidhin asgjë. Kjo lloj pasigurie mund të jetë shumë e rrezikshme e mund të zërë vend në shpirtin tonë pa u kujtuar fare. Është pasiguri, që lind nga vetmia e nga izolimi. E izolimi është gjithnjë këshilltar i keq:

“La forma de combatir esta precariedad y aislamiento, que nos deja vulnerables….

Mënyra për ta luftuar këtë pasiguri e këtë izolim, mund të gjindet në nivele të ndryshme: njëra është me anën e ligjeve, të cilat mbrojnë e sigurojnë mjetet më të domosdoshme për jetesë, që çdo familje e çdo njeri të mund të rritet përmes studimit e punës dinjitoze”.

E në fund, një çast, që  i preku thellë të gjithë.

Takimi përfundoi me një të papritur shumë të këndshme, gjë krejt e re për natyrën e takimeve baritore: Papa u kërkoi 50 mijë të pranishëmve, që e mbushnin përplot stadiumin, të përsërisnin, secili në zemër të vet, premtimet e bëra ditën e martesës.      

 








All the contents on this site are copyrighted ©.