2016-02-14 14:45:00

Shenjtorët e Javës së ardhshme 14 - 21 shkurt


E diel 14 shkurt, Kisha kremton të dielën e 1-të të kohës liturgjike të Krezhmëve, e po sot më 14 shkurt, kalendari Kishtar përkujton edhe shën Çirilin, murg e shën Metodin, ipeshkëv, Pajtorë qiellor të Evropës si dhe shën Valentinin. 

Krezhmët, të porsafilluara, na thërrasin të radhitemi me Krishtin në luftën kundër të “Keqit”. Ta dëgjosh me fe fjalën e Zotit e të angazhohesh me seriozitet në konvertimin e jetës personale: ja kushtet që lypen për të marrë pjesë në Pashkën e Krishtit, në këtë Vit të Shenjtë të Mëshirës. Kjo e diele e parë e kohës liturgjike të Krezhmëve, quhet ndryshe edhe e diela e tundimit. Ungjilli i kësaj së diele, na përshkruan tundimet e Jezusit në shkretëtirë. Është një hyrje e përgjithshme në këtë kohë të Krezhmëve, e cila fillon nën shenjën e luftës së brendshme kundër të keqit e së keqes, që njeriu has gjatë shtegtimit tokësor në jetën e përditshme. Prandaj, duhet të lusim Zotin të rri me ne, në çastet e sprovës, për të ngadhënjyer me Të në ditën e Jetës.

Të hënën më 15 shkurt, kalendari përkujton shën Onezimin, nxënësin e shën Palit, shën Faustinin e shën Gjovitën, martirë. Këta na kujtojnë se mbarë popujt e tokës do t’i shërbejnë Zotit, por edhe se nuk është aspak e lehtë të ecësh gjithnjë në dritën e Atij të Lumit. Na e vërteton Shën Pjetrit, i cili ishte tepër i kënaqur që mundi të shpallë se Jezusi ishte Krishti, në sa nuk donte ta pranonte se vullneti i Zotit ishte që Biri i njeriut të vuante e të vdiste në kryq.

Të martën më 16 shkurt, kalendari përkujton shën Gjylianen, virgjër e martire. Liturgjia e festës së shenjtores na kujton se kush e humbet jetën për kauzën e Krishtit e të Ungjillit të Tij, ka për ta shpëtuar.

Të mërkurën më 17 shkurt, kalendari përkujton Shtatë themeluesit e Urdhrit të Shërbëtorëve të Virgjërës Mari, ndërmjet të cilëve Aleks Konfalonieri. Këta kujtojnë se për të kundruar fytyrën e lumnueshme të Jezusit, sytë tanë duhet të jenë të kthjelltë e të lirë, të pa mjegulluar nga pasionet kalimtare. Por edhe kur nuk mund ta kundrojmë lumninë e tij, mund t’ia dëgjojmë fjalën e ta ndjekim pas në udhën e kryqit e të ringjalljes.

Të enjten më 18 shkurt, kalendari përkujton të Lumin Gjovani nga Fiesole, i njohur me emrin i lumi Angjeliko, meshtar domenikan. Festa e tij na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.

Të premten më 19 shkurt, kalendari përkujton shën Konrrad Konfalonierin. Ky vetmitar françeskan na fton të meditojmë mbi rolin e fesë e të lutjes, si mjetet më të sigurta për të ngadhënjyer mbi Djallin dhe mbi pasojat e mbrapshta të tundimeve që vijnë prej tij.

Të shtunën më 20 shkurt, kalendari përkujton shën Eleuterin dhe shën Leonin e Katanies, ipeshkëv. Liturgjia e ditës na kujton se kush beson në Zotin, lëshohet në dorë të tij si fëmijët në duart e prindërve.

Të dielën e ardhshme më 21 shkurt, Kisha kremton të dielën e 2-të të Krezhmëve, e po këtë ditë, kalendari liturgjik përkujton edhe shën Pier Damianin, ipeshkëv të Ostias, kardinal e doktor të Kishës. Të dielën e 2-të të Krezhmëve, liturgjia e Fjalës së Zotit, në mënyrë të veçantë pjesa e Ungjillit, na kujtojnë një moment teje të veçantë të jetës së Jezusit, shndërrimin e tij. Kjo ngjarje e ndriçon udhën krezhmore: pendesa e agjërimi që praktikojmë, kanë si qëllim ta shndërrojnë jetën tonë sipas shembullit të Jezusit.








All the contents on this site are copyrighted ©.