2016-02-14 18:27:00

Papa përqafon meksikanët e kritikon të pushtetshmit


Trafiku i drogës, me shtrirjen e tij të pakufishme, të kujton metastazat e kancerit, që korrin e grijnë jetë të pafajshme. Por po aq i rrezikshëm është edhe korrupsioni politik e admnistrativ, që e favorizon, duke i hapur udhën dhunës, trafikut të drogës e deri trafikut të njerëzve, rrëmbimit e vdekjes, që shkaktojnë vuajtje shumë të rënda, duke frenuar edhe zhvillimin. E kjo, thjesht për të mbushur edhe xhepat e atyre, që ulen çdo ditë në fronet e qeverisjes. Këto, plagët e hapura në trojet e Meksikës. I numëroi një nga një Papa Françesku, që në fillim të shtegtimit të tij të mrekullueshëm e të jashtëzakonshëm në vendin latin të Veriamerikës, ku vijon shtegtimin e, përqafimin, por edhe kritikat. 

I paraprin dhe e ndjek pas kudo, një turmë oqeanike, e cila nisi të mblidhej që në çastin kur këmba e tij shkeli mbi trojet meksikane, në Aeroportin “Benito Juarez”, shndërruar në stadium të vërtetë, me tribuna  e shkallare që tundeshin e lëkundeshin nga entuziazmi i papërmbajtur i njerëzve, të cilët pastaj u derdhën në rrugë, për ta ndjekur hap pas hapi Françeskun, në papamobil apo në një Fiat 500 L. Papa i përkorjes e meriton këtë pritje, në një vend ku distanca ndërmjet të pasurve të varfërve vijon të bëhet gjithnjë më e madhe, siç e denoncoi vetë Françesku: “Kur kërkohet udha e privilegjit ose të përfitimit për pak njerëz, në dëm të shumicës, heret a vonë jeta shoqërore shndërrohet në tokë pjellore për lulëzimin e të gjitha të këqijave”, pohoi, duke iu drejtuar njerëzve të pushtetshëm, rreth 1200 vetë, që ishin mbledhur në oborrin e Pallatit presidencial për ceremoninë e mirëseardhjes.

E pastaj, në katedralen e kryeqytetit, Bergoglio kujtoi edhe “duart e njollosura me gjak”  të atyre, që e kanë portofolin përplot me para të ndyra e “ndërgjegjen krejtësisht të përgjumur” . Kështu Papa, e fjalët e tij jehuan shumë më larg, duke i kapëcyer kufijtë e Amerikës. U sollën rreth e rrotull botës, për t’u ndaluar edhe në vendet e vogla, ku fenomene të tilla, që rrënojnë njeriun, duket sikur nuk  bien në sy të botës së madhe.

Jo më pak  i ashpër qe Papa edhe me disa nga njerëzit e Kishës, të cilëve u kujtoi se ka edhe nga ata që e tradhtojnë! U kujtoi se Kisha nuk ka nevojë për njerëz, që duan të jetojnë si princa. Nuk ka fare nevojë për princa, që rrijnë larg nga gjithçka e nga gjithkush. Kisha ka nevojë për njerëz, që rrojnë pranë të fundmëve, që përqafojnë periferitë njerëzore e ekzistenciale të trojeve të shkreta në qytetet tona. Kështu Papa, duke kërkuar një kthesë të vërtetë baritore.

E keqja, nënvizoi, si në shoqërinë civile, ashtu edhe në kishë, duhet luftuar. E në këtë luftë duhen përfshirë të gjithë: bashkësi famullitare, shkolla, institucione, bashkësi politike, struktura sigurie. Pastaj  Françseku bëri thirrje në favor të popullsive autoktone, indianëve  që, theksoi, presin prej kohe drejtësi.  E presidenti meksikan Enrique Peña Nieto, pasi i dëgjoi këto fjalë, e përshëndeti Papën si mbartës i një mesazhi “të ndjeshëm e vizionar”, që inkurajon shpresën e popullit meksikan e kontribuon për paqen.

Para se të shkonte në shenjtëroren e Gudalupes si “bir që dëshiron të nderojë Nënën e tij”, Papa shpjegoi pse pikërisht atje mund të fillojë kthesa e madhe e Meksikës: “Para Zotit mund të rrish vetëm nëse je i vogël, jetim, lypës” kujtoi, duke përmbledhur në këto fjalë mesazhin e Guadalupes, të Zojës së Zeshkët, që zgjodhi më të voglin e më të përvuajturin, indianin Juan Diego - Juaniton, sipas popullit, të cilit i pëlqejnë shumë emrat përkëdhelës, sepse përndryshe ndjehet fare i humbur, ashtu i mësuar, siç është, të zvogëlohet, të zvogëlohet, të zvogëlohet duke e ndjerë veten përherë më modest. Ndërsa askush nuk mendon se duhet ndihmuar të rritet. Indianit të vogël Maria i kërkon vetëm një gjë të vogël, kujtoi Françesku.

Nganjëherë e humbasim fare ndjesinë e  e masës së përvujtë hyjnore, harrojmë t’u tregojmë tanëve shtëpizën ku mund ta ndjejmë veten vetëm për vetëm me Zotin, e harron edhe se aty mund të hysh vetëm duke zbathur sandalet, për të dëshmuar padenjësinë tonë. Sipas Françeskut, pikërisht harresa paksi e shpeshtë e zbathjes së sandaleve, është në rrënjë të humbjes së kuptimit të shenjtërisë së jetës njerëzore, të vlerave themelore të urtisë së grumbulluar në rrjedhë shekujsh, të respektit për natyrën, për të tjerët, e sidomos, për vetveten. 

Duhet rifituar vetëdija e këtyre rrënjëve të thella, përndryshe edhe punës së fisme në mbrojtje të të drejtave njerëzore do t’i mungojë limfa jetike, që gurron vetëm nga një gurrë, të cilën njerëzimi nuk mund të na e japë.  Papa shprehu besimin se Meksika e Kisha e saj do të arrijnë me kohë në takimin me vetveten, me historinë, me Zotin. Nganjëherë, kujtoi, njeriu merr më thua në gurët e rrugës. E kjo mund t’ia ngadalësojë hapin, por jo t’ia ndalojë. Mund edhe të  vonohet, por pa e humbur cakun, ku do të arrijë patjetër, sepse atje është një Nënë, që e pret. Një Nënë, që i përsërit vazhdimisht: “Ti e di se po të pres, unë, Nëna jote!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.