2016-02-14 15:01:00

Më 14 shkurt kalendari kujton shenjtorët Çirili e Metodi


Kisha kremton më 14 shkurt Shenjtorët Çirili e Metodi, apostuj të Lindjes së krishterë, bashkëpajtorë të Evropës. Pra sot më 14 shkurt Kisha katolike përkujton festën e Shën Cirilit, murg dhe Shën Metodit, ipeshkëv – vëllezër, bashkëpajtorë të Evropës, Apostuj të Popujve sllavë.

Përkujtimi liturgjik i Shën Cirilit e Metodit, në këtë periudhë historike na ndihmon në përforcimin e lidhjes shpirtërore, përmes fesë e vlerave shpirtërore ndërmjet banorëve të Kontinentit të Vjetër dhe për të kërkuar mbrojtjen e tyre qiellore, që zgjerimi i Bashkësisë Evropiane të ndihmojë për të marrë frymë me të dyja mushkëritë.

Shën Cirili, murg dhe Shën Metodi ipeshkëv, më 31 dhjetor të vitit 1980 me Letrën Apostolike “Egregiae virtutis” u shpallen “Pajtorë të Evropës” nga Gjon Pali II së bashku me Shën Benediktin, të cilin më 24 tetor 1964 e pati shpallur “Pajtor i Evropës” Papa Pali VI me Letrën Apostolike “Pacis Nuntius”.

Cirili e Metodi vëllezër të një gjaku e të një feje, lindën në Thesalonia ( Selanikun e sotëm në Greqi) në fillim të shekullit IX-të. Me kulturë bizantine, hyjnë në marrëdhënie të ngushta me Kishën e Kostandinopojës, u bënë misionarë, së pari ndër Katarët e Krimesë e më vonë ndër popujt e Panonisë e të Moravisë së Madhe. Krijuan alfabetin sllavë dhe përkthyen në këtë gjuhë Shkrimin e Shenjtë ( Biblën) si dhe tekstet e liturgjisë latine, për t’ia hapur popujve të ri thesaret e Fjalës së Zotit e të Sakramenteve.

Për këtë mision apostolik, pësuan mundime e vuajtje të çdo natyre, por i përballuan të gjitha vështirësitë me besnikëri e dashuri të patundur duke predikuar Ungjillin e Krishtit e duke përhapur Mbretërinë e Zotit. Papa Adriani II e pranoi veprën e tyre duke miratuar gjuhën sllave për shërbime liturgjike. Me fjalë tjera, Papa Adriani II lejoi që gjuha e re sllave të përdorët në kremtime të Liturgjisë Hyjnore ndër popujt sllavë.

Shën Cirili vdiq në Romë më 14 shkurt të vitit 869, në moshën 42 vjeçare dhe është varrosur në Bazilikën e Shën Klementit gjithnjë në Romë. Shën Metodi, i shuguruar ipeshkëv i Sirmios ( Sremska Mirtovicës së sotme në Serbi) qe emëruar legat i Papës pranë Sllavëve, ndërsa vdiq në Velehrad ( Cekinë e sotme) më 6 prill 885.

Këtyre dy shenjtorëve të mëdhenj, misionarëve të palodhur që tërë jetën ia kushtuan përhapjes së Ungjillit ndër popujt sllavë, e që përpiluan dy alfabete për ta: çirilicen dhe gllagolicen, për ta bërë Fjalën e Zotit të kuptueshme nga popujt e përmendur, dhe për t’i mishëruar vlerat ungjillore në jetën e tyre, Papa Gjon Pali II më 2 qershor 1985 ua kushtoi njërën prej Enciklikave të tija : “Sllavorum Apostoli”. Po përfundojmë duke thënë se me të drejtë Shën Cirili e Shën Metodi konsiderohen Etër të krishterimit e të kulturës së popujve sllavë, urëlidhëse për bashkimin e plotë ndërmjet Kishave më të lashta me Kisha e reja.

Kisha kremtoi më 14 shkurt Shenjtorët Çirili e Metodi, Dy vëllezërve selanikas, Papa Benedikti XVI u ka kushtuar katekizmin në audiencën e përgjithshme të 17 qershorit 2009, si dhe disa reflektime, posaçërisht në audiencat e përvitshme me delegacionet bullgare e maqedonase, ditën e festës së shenjtorëve. Të dëgjojmë disa nga mendimet e Papës për Shenjtorët Çirili e Metodi:

Të ndiqet shembulli i Shenjtorëve Çirili e Metodi, ungjillëzues të palodhur e pararendës të inkulturimit të Ungjillit. Është kjo nxitja e Papës Benedikti XVI, i cili e ka ftuar disa herë Evropën, e posaçërisht popujt sllavë, t’i japin gjallëri të re rrënjëve të krishtera të Kontinentit të Vjetër. Papa vë theksin mbi misionin përtëritës të vëllezërve selanikas të cilët, 1200 vjet më parë, e kumtuan Lajmin e mirë, duke e paraqitur me fjalë që i kuptonin plotësisht popujt e Moravisë së Madhe, sepse e përkthyen Shkrimin Shenjt në gjuhët sllave: “Çirili e Metodi ishin të bindur që popujt nuk mund të mendonin se e kishin përvetësuar plotësisht Zbulesën, në se nuk do ta dëgjonin në gjuhën e tyre e nuk do ta lexonin me shkronjat e alfabetit të tyre “(Audienca e përgjithshme, 17 qershor 2009)”.

Papa ndalohet tek metoda që ndoqën Shenjtorët Vëllezër e nënvizon se ata arritën të frymëzonin e të përhapnin parimet e inkulturimit të Ungjillit, posaçërisht duke i përmbledhur dogmat e krishtera në libra të shkruar në gjuhët sllave: “Në fakt Çirili e Metodi përbëjnë një shembull klasik të asaj, që sot njihet me termin ‘inkulturim”: çdo popull duhet t’ia përshtasë kulturës së vet mesazhin e zbuluar e t’i shprehë të vërtetat shëlbuese me gjuhën e vet. Kjo kërkon një punë shumë impenjative për përkthimin, sepse duhen gjetur termat e përshtatshme për ta propozuar, pa e tradhtuar, pasurinë e Fjalës së zbuluar” (Audienca e përgjithshme, 17 qershor 2009).

E kjo që na dhanë Shenjtorët, vijon Papa, është dëshmi shumë e rëndësishme edhe për Kishën e sotme, e cila vijon të frymëzohet nga veprimtaria e tyre. E më pas, Benedikti XVI pohon se ajo që i frymëzoi dy ungjillëzuesit, të cilëve iu desh të përballonin vuajtje, mungesa e armiqësi, ishte shpresa e pamposhtur në Zotin. Shpresë që edhe sot e kësaj dite jep frytet e veta në Bullgari:

“Përmes një veprimtarie të palodhshme ungjillëzuese, të aktualizuar me zell të vërtetë apostolik, shenjtorët Çirili e Metodi e rrënjosën providencialisht krishterimin në shpirtin e popullit bullgar, kështu që ai u lidh pazgjidhshmërisht me këto vlera ungjillore, të cilat fuqizojnë gjithnjë identitetin e pasurojnë kulturën e një kombi” (Audiencë delegacionit bullgar, 22 maj 2010).

Posaçërisht e lidhur me Shenjtorët Çirili e Metodi është edhe Maqedonia, së cilës Papa i kërkon ta ruajë trashëgiminë shpirtërore të Shenjtorëve të vet Pajtorë: “Këta Shenjtorë Bashkë-Pajtorë të Evropës, të cilëve ju, me të drejtë të plotë, u luteni, hapën një shteg njerëzor e shpirtëror, që e bën Tokën tonë vend takimi ndërmjet kërkesave të ndryshme kulturore e fetare. Larmia paqësore e dëshirave të popujve që e banojnë, projekton mbi Kontinentin evropian një skenar ballafaqimi faktik e pjellor, të cilin Selia e Shenjtë e shikon me dashamirësi”(Audiencë me delegacionin maqedonas, 24 maj 2007).

Shenjtorët Çirili e Metodi, pohon Papa, duhet t’i inkurajojnë të krishterët e Evropës, t’i ruajnë e t’i fuqizojnë lidhjet ndërmjet Ungjillit dhe identiteteve përkatëse kulturore: “Ashtu si dishepujt e Zotit, duke respektuar reciprokisht traditat e ndryshme kishtare, jemi të thirrur të japim dëshminë e përbashkët të fesë sonë në Jezusin, në emër të të cilit fitojmë shëlbimin”(Audiencë me delegacionin bullgar, 22 maj 2010).








All the contents on this site are copyrighted ©.