2016-02-14 15:55:00

Himni i dashurisë shkruar nga shën Pali Apostull


Himni i dashurisë shkruar nga Shën Pali Apostull, në Letrën e Parë drejtuar Korintianëve (1 Kor 13, 1-13), na mëson se kjo ndjenjë fisnike, dashuria pra, është më e fuqishme nga të gjitha e se u jep vlerë të gjitha virtyteve. Njeriu mund t’i njohë të gjitha shkencat e të gjitha misteret, mund të ketë fe sa të luajë nga vendi malet, po ç’vlerë ka, në se i mungon dashuria? Kësaj pyetjeje i jep përgjigje ‘Himni i dashurisë” shkruar nga shën Palit:

1 Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve,

por po të mos kisha dashurinë,

do të isha porsi bronzi që kumbon

e porsi cimbali që tingëllon.

2 Po ta kisha dhuratën e profecisë

e t’i dija të gjitha misteret

e të gjitha dituritë;

po ta kisha edhe fenë e plotë,

me të cilën të mund t’u ndërroja vend maleve,

por po të më mungonte dashuria,

s’do të isha asgjë!

3 Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time

dhe po ta jepja trupin tim të digjej,

por, po të më mungonte dashuria,

nuk do të më vlente asgjë!

4 Dashuria është zemërgjerë,

është e dhimbshme, dashuria,

nuk ka smirë,

nuk mbahet me të madh,

nuk krenohet

5 nuk është e panjerëzishme,

nuk kërkon interesin e vet,

nuk hidhërohet,

nuk e mban mend të keqen,

6 nuk i kënaqet padrejtësisë,

por i gëzohet të vërtetës.

7 Arsyeton gjithçka,

beson gjithçka

shpreson gjithçka,

duron gjithçka.

8 Dashuria nuk mbaron kurrë.

Profecitë mbarojnë,

gjuhët shuhen,

njohuritë marrin fund.

9 Sepse njohuria jonë është e kufizuar

dhe e kufizuar është profecia jonë.

10 Por, kur të arrijë përsosmëria,

çka është e kufizuar do të marrë fund.

11 Kur isha fëmijë

flisja si fëmijë,

mendoja si fëmijë,

arsyetoja si fëmijë.

Kur u bëra njeri i pjekur,

flaka çka i përket fëmijërisë.

12 Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë

e në mënyrë të errët,

por atëherë do të shohim faqe-faqas!

Tani njohuria ime është e kufizuar,

atëherë do të njoh plotësisht,

siç jam i njohur.

13 Tani, veç, mbetet

feja,

shpresa

e dashuria

-këto të trija-

Porse më e madhja ndër to është dashuria.

Pra, mund të pohojmë se Identikitin e të njeriut të mbështetur në dashuri, na e përshkruan Shën Pali në “Himnin e dashurisë”. Prej këtij Himni, sidomos, mësojmë si duhet të jetojmë, sipas virtyteve, me një zemër, e cila rreh me ritmin e dashurisë për Zotin e të afërmin. Duke nisur nga shpirtmadhësia e dashamirësia. Shpirtmadhësia, në një farë mënyre, është sinonim i dashurisë: e kjo do të thotë të dish të duash pa kufij, por njëkohësisht, me besnikëri ndaj situatave të veçanta e me gjeste konkrete. Të duash gjithçka është e madhe, pa harruar kurrë edhe atë, që është e vogël; t’i duash gjërat e vogla, në horizontin e të mëdhave…. Të dish të duash me gjeste dashamire. Dashamirësia është vullneti i patundur e i përhershëm për të dashur të mirën, gjithnjë e për të gjithë, edhe për ata, që nuk na duan. 

Dashuria, përveç tjerash, është e durueshme, është e mirë dashuria; nuk është smirëzezë dashuria, nuk mburret, nuk fryhet. E pastaj nuk mungon në respekt, nuk kërkon leverdinë e vet, nuk zemërohet, nuk e mban mend të keqen që i kanë bërë!... (1 Kor 13, 1.4-5). Në këtë rast problemi lind në atë njeri që, përqendrohet mbi vetveten aq, sa të mos e përfillë fare dinjitetin e të tjerëve. Kush e vë veten në qendër, shikon, natyrisht, vetëm interesin e vet. E kjo i duket si diçka krejt normale, madje si detyrë. Ky “interes” mund të mbulohet pas ndjenjave të fisme, por nën to fshihet gjithnjë interesi vetjak.

Ndërsa dashuria, që ofron himni i shën Palit, shpërqendron nga vetvetja dhe të vë në qendrën e vërtetë, që është vetëm Krishti. Atëherë mund të jesh njeri, që di të respektosh e të shikosh kryesisht të mirën e të tjerëve. Dashuria është tepër kërkuese, sepse është dashuri që ngulmon, që na pret, na përqafon, na mbështet deri në tronditje, pse e detyron secilin nga ne të mos jetojë më për vetveten, i mbyllur në egoizmin e tij, por për ‘Atë që vdiq e u ngjall për ne”(cfr 2 Kor 5,15) e çdo njeri.

Shën Pali e vë theksin mbi dashurinë, që nuk zemërohet, nuk e mban mend të keqen, që i kanë bërë!.. Natyrisht, personit, i cili jeton ndërmjet njerëzve, nuk i mungojnë rastet për t’u zemëruar. E akoma më shumë, nuk i mungojnë në marrëdhëniet me të tjerët. Por edhe këtu, është dashuria e vërtetë, e vetëm dashuria ajo, që na çliron nga zemërimi, nga egoizmi e tjera...

Njeriu, që është plot me dashuri, nuk kënaqet për padrejtësinë, gëzohet vetëm për të vërtetën. E mos t’i harrojmë katër virtytet e dashurisë, që përshkruan shën Pali, që fal gjithçka, beson gjithçka, shpreson e duron gjithçka.

Dashuria e mirëfilltë na bënë vërtetë njerëz të aftë për të falur gjithnjë; për të besuar gjithnjë, sepse, plot me besim në Zotin; të aftë për të ngjallur gjithnjë shpresë, sepse plot me shpresë në Zotin; njerëz, që dinë të mbartin me duresë çdo situatë e çdo vëlla e motër, në bashkim me Jezusin, që mbarti me dashuri barrën e të gjitha mëkateve tona.

Duke medituar kapitullin 13 të letrës së parë të shën Palit drejtuar Korintasve, ecim në udhën që na bën të kuptojmë në mënyrën më të drejtpërdrejtë e mbresëlënëse të vërtetën e plotë për qytetërimin e dashurisë. Asnjë tekst tjetër biblik nuk e shpreh këtë të vërtetë më thjesht e më thellë sesa himni i dashurisë.

Rreziqet që e kërcënojnë dashurinë përbëjnë kërcënim edhe për qytetërimin e dashurisë, sepse ndihmojnë gjërat që mund ta kundërshtojë. Le të mendojmë egoizmin, para së gjithash, por jo vetëm egoizmin e individit. Ekziston edhe egoizmi i çiftit ose, në një rreth më të gjerë, egoizmi shoqëror, për shembull ai i klasave apo i kombeve (nacionalizmi). Egoizmi, në çdo formë të veten, i kundërvihet drejtpërdrejt e rrënjësisht qytetërimit të dashurisë.

Himni i dashurisë, në letrën e parë të shën Palit drejtuar korintasve, mbetet Magna charta e qytetërimit të dashurisë. Në të nuk flitet vetëm për disa shfaqje të veçanta (egoizmi apo altruizmi), por për pranimin rrënjësor të konceptit të njeriut si person, që e gjen veten duke e dhuruar sinqerisht vetveten. Dhurata, kuptohet, është për të tjerët. Kjo është përmasa më e rëndësishme e qytetërimit të dashurisë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.