2016-02-13 15:27:00

Zoja e Guadalupes: simbolika


Zoja e Guadalupes, pavarësisht nga ndryshimet e thella që vërehen rreth saj, vijon të jetë edhe sot pikë e sigurt referimi për meksikanët e të gjitha etnive, të të gjitha konfesioneve fetare e për mbarë Amerikën Latine.

Një tregim i lashtë guadalupan i indianëve rrëfen: "Paraardhësit tanë i ofronin Zotit zemra prej mishi, të shkulura nga kraharori njerëzor, që në botë të kishte harmoni. Ndërsa Gruaja, që nderohet në shenjtërore, pa na i shkulur nga gjoksi, na bën t'i lemë vetë zemrat tona në duart e saj, që ajo, pastaj, t'ia paraqesë Zotit të vërtetë!”.

Mijëra shtegtarë nga mbarë bota gjunjëzohen para figures së Zonjës, për të vënë në duart e saj zemrën e tyre e të mbarë Kishës. Luten e kujtojnë vitin e largët 1531, kur Virgjëra Mari deshi t 'i dukej papritmas Huan Diegos, fshatarit të varfër të fisit Chichimek, të cilin ipeshkvi i vendit nuk deshi ta besonte - për ta bërë lajmëtar të Ungjillit. E mbi mantelin e Huan Diegos la fytyrën e saj, një fytyrë metise, origjinën e së cilës shkenca nuk ka arritur ta shpjegojë.

Zoja e Guadalupes, as e bardhë e as indiane, por metise, - ka thënë kryeipeshkvi i Qytetit të Meksikos, kardinali Norberto Rivera Carrera - është një mesazh për bashkim ndërmjet popujve të ndryshëm, të pajtuar në fenë e përbashkët në Krishtin. Bazilika, që na kujton këtë ngjarje, sipas traditës, nisi të ndërtohej pasi Zonja e Bekuar, ndërmjet 9 e 12 dhjetorit 1531, iu duk pesë herë me radhë indianit Juan Diego, një ndër vendasit e parë të kthyer në fenë e krishterë.

Emri Guadalupe vjen nga fjala indiane "Coatlaxopeuh" "Ngadhënjyesja mbi gjarprin": më 1737 Zoja e Guadalupes u shpall "Pajtore e Meksikës"; më 1910 "Pajtore e Perandoreshë e Amerikës", më 1935 edhe e Filipineve. Prandaj në të hyrë të Bazilikës shpalosen 24 flamujt e vendeve amerikane dhe ai i Filipineve.

Duke pasur parasysh dëmtimet e rënda që kishte pësuar bazilika e vjetër nga tërmetet e herë pas hershme, Konferenca Ipeshkvnore vendosi të ngrinte një shenjtërore të re: guri i saj i parë u vendos më 12 dhjetor 1974. Mbi këtë gur do të lartohej shenjtërorja e sotme, e cila i ngjet çadrës që Moisiu ngriti në këmbët e malit Sinai sipas urdhrit të Zotit.

Festa e Zojës së Guadalupes kremtohet më 12 dhjetor, e Ajo kremtohet si “pedagogia” e fesë, “pedagogia” e inkulturimit të fesë së krishterë në zemrën e popujve të Amerikës Latine, si Ylli i ungjillëzimit të ri. Zoja i ndihmon njerëzit e këtij kontinenti, që e besojnë me fe, por edhe e dëshmojnë përmes përvojës historike e personale, për të realizuar jetën  dhe besojnë plotësisht se Krishti arrihet përmes Marisë. Prandaj festa e 12 dhjetorit u kujton latinoamerikanëve ftesën ta rijetojnë, ta aktualizojnë sërish vetëdijen e së vërtetës, të dinjitetit, të arsyes e të bukurisë së qenies të krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.