2016-02-13 13:07:00

Papa – Kirill: së bashku kundër çdo lufte e për respektin e familjes e të njeriut


I vështirë deri në pik sa të dukej për dekada një ëndërr, takimi ndërmjet Papës së Romës e Patriarkut të Moskës, në Kubë më 12 shkurt 2016, ishte thjeshtë një takim ndërmjet vëllezërish. Kështu, takimi që Kishat e krishtera të Perëndimit e të Lindjes e prisnin që nga viti 1054, viti i skizmës së madhe, u konkretizua në Kubë, me një takimi-përqafim historik ndërmjet Papa Françeskut e Patriarkut ortodoks rus Kirill, gjatë të cilit u nënshkrua edhe një Deklaratë e përbashkët baritore, një tekst i thjeshtë dhe i fortë. Për atë Federiko Lombardin, drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, takimi ndërmjet Papa Françeskut e Patriarkut të Moskës, qe një moment historik, një shpresë e re në udhën drejt bashkimit të të krishterëve, për Papën e Kirillin një gëzim vërtetë i madh.

“Kemi folur me sinqeritet të plotë, si vëllezër. E ndjeva një gëzim të brendshëm...”. Këto fjalë të Papa Françeskut rrëfejnë gëzimin për takimin me Patriarkun Kirillin. E pohoi këtë Papa në takim me gazetarët, në avionin që e çonte drejt Meksikës. E pavarësisht lodhjes së ditës e asaj që e priste akoma Papën ( 23 km në Qytetin e Meksikos me papamobil duke përshëndetur turmën e besimtarëve e të qytetarëve meksikanë), Ati Shenjtë Bergoglio deshi t’i takonte menjëherë gazetarët në avionin e nisur drejt Meksikës. “Besoj se me deklaratën keni punuar tërë natën e edhe nesër. Po dua t’u tregoj edhe ndjenjat e mia”.

Para së gjithash, pohoi Papa Françesku para gazetarëve, dua t’i shpreh “ndjenjën e mikpritjes e të gatishmërisë presidentit Raul Castro. Unë pata folur me të për këtë takim një herë tjerë”, do të thotë gjatë udhëtimit në Kubë në shtatorin e kaluar, “e ai bëri gjithçka për organizimin...”. Fjalë që konfirmojnë përgatitjen e gjatë të takimit, bërë në sekretin më të madh, që ka sjell deri te realizimi i përqafimit historik ndërmjet Papës e Patriarkut ortodoks rus.

“Me Kirillin ka qenë një bisedë vëllazërore, me pika të qarta, që shqetësojnë të dy. Kemi folur me tërë sinqeritetin. Unë u ndjeva para një vëllai e edhe ai më tha të njëjtën gjë. Dy ipeshkvij që flasin mbi situatën e Kishave të tyre, mbi situatën e botës, të luftërave...që tani rrezikojnë të mos jenë më aq “pjesë pjesë” por të përfshinë gjithçka e të gjithë; për situatën e ortodoksisë, për sinodin e ardhshëm panortdoksë”.

Deklarata e përbashkët e firmosur në Havanë nga Papa Françesku e Patriarku Kirill ka 30 pika, nuk është politike, nuk është sociologjike, është deklaratë baritore duke përfshirë edhe aty ku flitet për shekullarizimin e për manipulimin biogjenetik. Në tekstin e plotë të Deklaratës  flitet nga familja e deri te Lindja e Mesme, për rrënjët e krishtera të Evropës e për ambientin.

“Me gëzim – pohojnë Françesku e Kirilli – u gjetëm si vëllezër në fenë e krishterë, që takohen për “të folur gojarisht” (2 Gjn 12), si flet zërma-zemrës”. “Duke u takuar larg prej kundërshtive të lashta të ‘Botës së Vjetër’, ndjejmë me forcë të veçantë nevojën e një udhe e pune të përbashkët ndërmjet katolikëve e ortodoksëve, të thirrur, me ëmbëlsi e respekt, për t’i dhënë llogari botës për shpresën, që është në ne (khr 1Pt 3,15)”.

Deklarata është edhe një përgjigje e përbashkët para sfidave të botës bashkëkohore; një thirrje për t’i dhënë fund persekutimeve të të krishterëve dhe luftërave në Siri e Irak e vende tjera të botës; një rast për të nënvizuar vlerën e  dialogu ndërfetar si element i domosdoshëm për rivendosjes e mirëkuptimit e të paqes ndërmjet besimeve; për theksuar se liria fetare është gjithnjë më shumë e kërcënuar e këndej duhet mbrojtur, kudo; për të nënvizuar solidaritetin me të varfrit dhe emigrantët; për të folur mbi vlerën e familjes, të jetës e për t’i thënë jo eutanazisë; për t’i thënë jo prozelitizmit e uniatizmit; për të kërkuar paqen në Ukrainë, në Siri, në Irak e në vise tjera të Lindjes së Mesme e të Afrikës; për të nënvizuar se jemi vëllezër e jo konkurrent e shumë tjera.

Kështu, nga ishulli kuban, simbol i shpresave të “Botës së Re” e të ngjarjeve dramatike të historisë së shekullit XX, Papa Françesku e Patriarku Kirill ua drejtuan fjalën të gjithë popujve të të gjitha Kontinenteve, duke dëshmuar besnikërinë e tyre ndaj Krishtit e duke ngritur zërin që paqja të jetë e qëndrueshme dhe e besueshme kudo, për të gjithë, me një përpjekje për t’i rizbuluar vlerat që bashkojnë e përforcojnë vëllazërimin ndërmjet Kishave dhe ndërmjet popujve.








All the contents on this site are copyrighted ©.