2016-02-13 12:18:00

Meksika pret Papën, që ia beson shtegtimin Marisë së Guadalupe-s


Një turmë vigane e priti Papën në Qytetin e Meksikos, ku Ati i Shenjtë Bergolio arriti mbrëmë, i pritur nga autoritetet vendase, nga kryesia e Konferencës ipeshkvnore e, sidomos, nga mijëra vetë. Në një tweet, Papa shkruan: “Në Meksikë do të shikoj sytë e Virgjërës Mari, do t’i lutem të vijojë të na shikojë me mëshirë. Asaj ia besoj shtegtimin tim”.

Papa Françesku shkeli në trojet e Meksikës e menjëherë e preku me dorë zemrën e ngrohtë të këtij vendi. Në Aeroport, një ceremoni informale, por me mijëra njerëz, me këngë e valle. Papa foli me një grup fëmijësh, përshëndeti, bekoi, mori një sombrero tjetër nga një “mariachi”. Bisedoi shkurtimisht edhe me presidentin e Republikës e, më pas, u nis drejt nunciaturës, ku do të kthehet pas çdo zhvendosjeje në Meksikë, që sot e deri më 17, kur do të niset për në Vatikan. Nuk pati fjalime zyrtare, sepse në orën  10.15 (17,15 me orën evropiane) Papa do të takohet me botën politike, shoqërinë civile dhe me Trupin Diplomatik, në Pallatin Kombëtar të Qytetit të Meksikos.

Pothuajse tre çerekë ore në papamobil, për të përshkuar 19 kilometra, rrethuar në të dyja anët nga turma, që e brohoriste Françeskun. Udhë e ndriçuar nga mijëra celularë e bateri elektrike. Të dukej sikur qielli i kësaj nate plot me yje, po zbriste mbi këto troje! Edhe me këto gjeste shprehej përshpirtëria popullore tejet e thellë e këtyre njerëzve, në festë. I  paqortueshëm, shërbimi i rendit, siguruar edhe nga 160 mijë vullnetarë të thirrur nga organizatorët për të dhënë ndihmesën e tyre. Më se 20 mijë policë, për sigurinë e Papës, edhe pse nuk duhet të ketë asnjë shqetësim. Përgatitjet e qyteti nisën të paktën një javë më parë, për ta pritur sa më mirë Papën. U ndreqën të gjitha rrugët e rrugicat, që lidhen me lagjet e ndryshme.

Shumë gazeta, këto ditë, vunë në dukje aspektet politiko-shoqërore të këtij vendi, karakterizuar nga varfëria, që godet më se gjysmën e popullsisë. Kuptohet menjëherë edhe duke vizituar qytetin vigan, me më se 21 milion banorë, me lagje të pasura, plot pallate madhështore, por edhe me lagje të tëra barakash e kasollesh. Kontrast i dukshëm e i dhimbshëm, që flet vetë.

Për kasollet, vjen Papa, e edhe, e sidomos, ‘për t’u lutur para figures së Zojës së Guadalupes, këtij misteri, siç u shpreh ai vetë, për të cilin nuk ka shpjegime njerëzore. Ikona ndodhet në një nga shenjtëroret më të vizituara të Amerikës Latine, cak shtegtimesh për mbarë Kontinentin. Por Papa është këtu sidomos për ta ftuar Kishën vendase që të përtërihet, të dalë për të fuqizuar veprën e ungjillëzimit. E në këto orë kërkohen me këmbëngulje, biletat e fundit për kremtimin në shenjtëroren e Zojës. Janë shpërndarë, tashmë, rreth 1 milion e 100 mijë bileta të shtypura, por edhe kush nuk ka biletë, ka shpresë se do ta shikojë nga afër Papën e, ndoshta- ndoshta, do të mund edhe t’i shtrëngojë dorën….








All the contents on this site are copyrighted ©.