2016-02-12 14:23:00

Kard. Parolin: Françesku në Meksikë, shtegtar i paqes dhe i shpresës


Mëshira, drejtësia e paqja, por edhe emigracioni, dhuna e kriminaliteti: Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për Qendrën Televizive të Vatikanit, përqendrohet në temat kryesore të udhëtimit të Papës Françesku në Meksikë. Së fundi, komenton takimin e Papës me Patriarkun Kirill në Kubë. Ta dëgjojmë kardinalin Parolin:

Këto janë, para së gjithash, temat karakteristike të të gjitha udhëtimeve të Atit të Shenjtë e do të thosha edhe më: janë karakteristike, tipike për papninë e tij, siç është tema e mëshirës, natyrisht, por edhe tema e drejtësisë, ajo e paqes dhe ajo e shpresës. Pastaj, Papa do të ndalet edhe në temat, që kanë të bëjnë me vendin e vizituar, për të vënë në dukje, për shembull, forcën e fesë së këtij populli, kulturën e tij të jashtëzakonshme, devocionin e tij të jashtëzakonshëm, kulturën e pasuritë edhe të popullsive, që e përbëjnë, duke filluar nga popullsitë indigjene; e natyrisht, do të prekë edhe tema më negative, pra, problemet dhe vështirësitë me të cilat përballet vendi, si temën e kriminalitetit, temën e trafikut të drogës, temën e varfërisë… Mendoj që Papa do të kthehet në pikat kryesore të udhëtimit të Benediktit XVI në vitin 2012, kur Papa Ratzinger u ndal shumë në temën e dinjitetit të njeriut dhe të lirisë fetare, duke pasur parasysh se nga kjo pikpamje, Meksika ka pasur një histori shumë të trazuar, me një laicizëm të fuqishëm, që nuk ka mundësuar krijimin e marrëdhënieve të qeta me Kishën. Prandaj, më duket e rëndësishme të nënvizohet se, për herë të parë, një Papë do të hyjë në Palacio Nacional, seli zyrtare e autoritetit politik meksikan të presidentit të Republikës.

Takimi i sotëm i Papës me Patriarkun Kirill është shenjë e madhe shprese, apo jo?

 Fakti që Papa dhe Patriarku i të gjitha Rusive takohen është shenjë e madhe shprese. Është vërtet ngjarje, që na jep guxim, na frymëzon për të vazhduar të ndërtojmë gjithnjë e më shumë marrëdhënie bashkëpunimi, takimi e dialogu: tema për të cilat Papa ngul këmbë. Edhe ky takim shpreh vullnetin për t’u marrë vesh më mirë e për të kontribuar së bashku në rrugën ekumenike, por edhe për të ndikuar mbi botën e shoqërinë aktuale, në përgjithësi. Prandaj, e shohim vërtet me shpresë të madhe e sidomos, ia besojmë Zotit me lutje, që të sjellë fryte të begata.








All the contents on this site are copyrighted ©.