2016-02-12 12:54:00

Jubileu. Veprat e mëshirës: “T’u japësh të hanë të uriturve”


Viti Jubilar. Veprat e mëshirës: “T’u japësh të hanë të uriturve”.  Në qendër të vëmendjes së Atynës, është lutja drejtuar Zotit që t’ua japë të gjithëve bukën e përditshme. E kjo tregon sa dëshirë ka Zoti që çdo njeri t’i ketë të gjitha sendet e nevojshme për një jetë të qetë e dinjitoze. Gjithsesi, ashtu si për çdo aspekt të fesë, nëse në krye duhet të jetë lutja që në jetën e njeriut të duket Provania Hyjnore, njeriu nuk duhet të mendojë vetëm për të marrë. Duhet të bëhet gjithnjë bashkëpunëtor në planin e Zotit e të  punojë me gjithë zemër e me të gjitha mjetet, që askujt të mos i mungojë buka e përditshme.

Shembull i përhershëm mbeten bashkësitë e para të krishtera që : “...i  shisnin pronat e tyre e gjënë e mallin dhe e ndanin me të gjithë, sipas nevojave të secilit” (Vap 2,43). Kjo nuk do të thotë se njeriu duhet të heqë dorë plotësisht nga prona private. Do të thotë se duhet ta dijë ku ndjehet nevoja për ndihmën e tij. E se, si dishepull i Zotit, e ka për detyrë, sipas mundësive, të bëhet i afërt me të afërmin, që nuk është në gjendje të sigurojë kafshatën e përditshme.

E sqaroi plotësisht Papa Françesku, në homelinë e së Mërkurës së Përhime, duke pohuar: “Nëse Jubileu nuk arrin ndër xhepa, nuk është Jubile i vërtetë”. Kjo është në Bibël, eh? Nuk e shpiku Papa: është në Bibël!

Françesku kujtoi edhe një mori formash për t’i ndihmuar të uriturit, me qindra mijëra edhe në botën e pasur, duke theksuar se sot ka rëndësi të rifitohet kuptimi i thellë e shpirtëror i veprimtarisë institucionale dhe i asaj të vullnetariatit. Të gjithë duhet ta dinë se ajo që bëjnë, vepër e vogël a e madhe mëshire, ka ndikim të fuqishëm mbi shoqërinë, ngaqë kështu njeriu dëshmon se i njeh tjetrit të njëjtin dinjitet, që dëshiron ta ketë për vete. Kur përmirësohet cilësia shpirtërore, përmirësohet edhe sasia e gjërave, që përdorim për t’i ndihmuar të tjerët.

Misionarët e mëshirës

Një tjetër tipar i veçantë i këtij Jubileu, ofrohet nga Misionarët e mëshirës.   Françesku u dha mandatin të Mërkurën e Përhime 2016, në kuadrin e bashkëkremtimit, që u mbajt në Bazilikën e Shën Pjetrit. Papa u dorëzoi 1.000 misionarëve (priftërinj e rregulltarë nga mbarë bota), mandatin  për të qenë “shenjë e mëshirës amëtare të Kishës për Popullin e Zotit, që të mund të hyjë thellësisht në pasurinë e këtij misteri kaq themelor për fenë” (Misericordiae Vultus, 18). Misionarët duhet të jenë meshtarë të durueshëm, të aftë për t’u përkulur mbi plagët e mbi brishtësinë e njerëzve e të etshëm për t’u çuar frymëzimin e Bariut të Mirë në predikim e në sakramentin e Rrëfimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.